Durrës, në lagjen ku jetohet si në mesjetë

schedule15:10 - 14 Prill, 2019

schedule 15:10 - 14 Prill, 2019

Katër kilometra larg Durrësit, banorët jetojnë në kushte shumë të vështira. Aty nuk ka pasur investime dhe shumica kanë ardhur nga rrethet e tjera. Mungojnë rrugët e asfaltuara dhe territori është i gjithi i ndotur.

Në rrugën e “Arbërit”, 4 kilometra nga qendra e qytetit-port të Durrësit banorët jetojnë si në mesjetë. Këtu koha ka mbetur në vend. Këto pasarela metali dhe dërrasa të improvizuara shërbejnë për të kaluar kanalet e ujërave, e më pas për t’u futur nëpër shtëpi. Një zgjidhje e gjetur nga vetë banorët, në pamundësi për të investuar më shumë.

“Asgjë. Patën mbyll ato kanalet e vogla. Se kush investon nuk merret vesh”, tha një banore.

Frrok Frroku i ardhur 15 vite më parë Shkodra jeton këtu. Ai thotë se braktisi vendlindjen për një jetesë më të mirë për fëmijët e tij, por në fakt shpresa u shua shumë shpejt. Ky qytet ua vështirësoi më shumë jetën.

“Pse kena ardh vetë? S’na pruni kush mezor. Kujtuam se bëhet diçka… mbaroi”, tha ai.

Zonë me potencial të madh zhvillimi trajtohet ende si geto. Investimet e pakta nuk e kanë ndihmuar aspak komunitetin e këtushëm.

“Në infrastrukturën rrugore nuk është investuar mjaftueshëm. Disa rrugë siç është edhe kjo ku ndodhem nuk e ka njohur kurrë asfaltin. Ndërsa ndotja që shkaktohet përgjatë 12 muajve të vitit nga këto kanale hapura nuk ka gjetur ende zgjidhje”, raportoi gazetarja e ABC News Enkeleda Arapi.

Banorët kërkojnë  të mos diskriminohen dhe se institucionet lokale dhe qendrore t’i ndihmojnë në investime. Zona është pjesë integrale e qytetit bregdetar të Durrësit vetëm në hartë. Por në investime, ajo ende trajtohet si territor banorë të dorës së dytë./abcnews.al