Inteligjenca e SHBA ndihmoi Ukrainën të fundoste kryqëzorin rus Moskva, thanë zyrtarët amerikanë për NBC News, duke konfirmuar rolin e Amerikës në goditjen ndoshta më të fortë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.
“Moskva” që mbante një ekuipazh prej 510 personash, ishte krenaria e flotës ruse në Detin e Zi. Ajo u mbyt më 14 prill pasi u godit nga dy raketa Neptun. Ndërsa Kremlini tha se anija u mbyt pas një zjarri që kishte rënë te municionet.
“Moskva” ishte luftanija më e madhe ruse e fundosur në luftime që nga Lufta e Dytë Botërore. Zyrtarët amerikanë thanë se kishte viktima të konsiderueshme ruse, por nuk ende nuk dihet numri i saktë.
“Sulmi ndodhi pasi forcat ukrainase pyetën amerikanët për një anije që lundronte në Detin e Zi në jug të Odesës”, thanë zyrtarët amerikanë për NBC News. SHBA e identifikuan atë si “Moskva”, theksuan ata, dhe ndihmuan në konfirmimin e vendndodhjes së saj, pas së cilës ukrainasit shënjestruan anijen.
“SHBA nuk e dinte paraprakisht se Ukraina do të godiste Moskën”, thanë zyrtarët, dhe nuk ishte e përfshirë në vendimin për të goditur, shtuan ata.
Roli i SHBA-së në fundosje nuk është raportuar më parë. Por NBC News detajoi muajin e kaluar se si inteligjenca amerikane kishte qenë e rëndësishme në sukseset e Ukrainës deri më sot, duke përfshirë ndihmën e Ukrainës për të synuar forcat ruse dhe për të shmangur sulmet ruse.
Nga ana tjetër në një deklaratë, Pentagoni ka theksuar se nuk ndihmuan dhe nuk i dhanë informacion Ukrainës për anijen “Moskva” që më pas ata e goditën.
/abcnews.al