Nën dyshimin se pas projektit për Portin e Durrësit, të prezantuar nga qeveria shqiptare dhe kompanisë arabe Emar, fshihet një praktikë korruptive, 7 deputetë të Partisë Demokratike i kanë kërkuar Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm për verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik.
Deputetët e partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferaj kërkojnë që subjekt i komisionit të posaçëm në Kuvend të jenë edhe praktikat e dhënies së statusit të investitorit strategjik edhe në rastet e aktorit Gazment Paja në bregdetin e Jonit dhe bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka.
Sipas deputetëve të PD, ndonëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik, ishte pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike; (ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”; dhe (iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet”.
/abcnews.al