BB parashikon goditjen e Shqipërisë nga kriza ekonomike, Shkodra: 6-mujori i dytë periudha më problematike

schedule19:42 - 4 Maj, 2022

schedule 19:42 - 4 Maj, 2022

Shqipëria do të goditet nga çmimet e drithërave dhe energjisë.  Ndërsa inflacioni për këtë vit  parashikohet të arrijë në 5%. Vlerësimi vjen nga Banka Botërore në raportin e publikuar sot për Ballkanin Perëndimor.  Sipas institucionit financiar ndërkombëtar rimëkëmbja ekonomike e vendit do të frenohet.

Eksperti i ekonomisë dhe financave Arben Shkodra i ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi u shpreh se ky raport i Bankës Botërore nuk ka dalë jashtë parashikimeve të ekspertëve të ekonomisë.

Shkodra: Rritja e çmimeve është  e pakontrollueshme, nuk e kontrollojnë  dot as faktorët e brendshëm dha as ata të jashtëm.

Rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e perceptimeve të gabuara, lëvizja e bursave në mënyrë të pakontrolluar. Ndërsa tani kemi filluar të hyjmë drejtpërdrejt në rritjen reale te çmimeve. Ne duhet të fillojmë të mendojmë për 6-mujorin e dytë. 6-mujori i dytë është periudha më problematike, është me paqartësi të mëdha, asnjë në bursën ndërkombëtare nuk e di se si do të shkojnë gjërat.

Xhokaxhi: Çfarë mund të bëjmë?

Shkodra: Secila nga palët e vetme nuk mund të bëjë asgjë. Deri tani qeveria vazhdon të jetë e vetme, ne vijojmë të jemi të vetëm, ka ardhur me kohë koha që të ulemi dhe të jemi në sinkron me njëri-tjetrin. Nuk mjaftojnë bordet që diktojnë çmime. Ne vazhdojmë të jemi të vetëm. Po të fillojmë të diskutojmë për gjetjen e lëndës të parë, tregtarët shqiptarë janë të vetëm, e gjejnë vetë tregun. Në këtë moment duhet të fillojmë të sinkronizojmë diplomacinë ekonomike. Ka ardhur koha që t’i kthehemi prodhimit vendas.

Lexo edhe: Lufta, BB: Shqipëria do të goditet nga kriza e çmimeve të drithërave dhe energjisë, inflacioni 5% këtë vit

Xhokaxhi: A ka të drejtë një shtet të gjejë tregje, të bëjë marrëveshje me shtete partnere ose jo partnere për të ndihmuar biznesin?

Shkodra: Nuk është detyrim i qeverisë, detyrim i saj është të ulet me sipërmarrësit dhe të thotë se cilat janë facilitetet. Ndoshta ka nevojë të ndërhyjnë në disa tatime të dyfishta për shembull. Le ta bëjmë tani për të mirën e sipërmarrjes. Unë nuk thashë qeveria duhet të gjejë tregjet, por të gjejë facilitetet. Rritja ekonomike për të krijuar më shumë të ardhura shteti nuk është një rritje ekonomike që shkon në xhepin e qytetarëve dhe sipërmarrësve. Duhet të ruajmë inflacionin i cili ka shpërthyer dhe nuk është 5 do të jetë më shumë se 5. Të gjithë aktorët duhet të ulen dhe të kontribuojnë në këtë situatë.

Xhokaxhi: Duket se tani u kujtuam që kemi toka bujqësore që duhen mbjellë. A jemi në kohë?

Shkodra: Nuk jemi në kohë për të zgjidhur problemin. E gjithë strategjia e qeverisë e një rimëkëmbjeje ekonomisë post pandemie duhet ët ishte në dy faza, faza emergjente dhe çfarë duhet të fillojmë tani për një plan afat mesëm. Nuk mund të themi që dolëm nga kriza pas 2 vitesh dhe të vijojmë biznesin. Jo. Duhet t’i vëmë gishtin kokës. Nuk mund të vazhdojmë të kemi toka djerrë dhe të financojmë fermerin individual. Nuk mund të dalësh në tregun ndërkombëtar me çmime shumë të mira nëse ti del me sasira shumë të vogla.

Xhokaxhi: Me çfarë do përballemi?

Shkodra: As Banka Botërore nuk mund të dijë se si do përshkallëzohet Konflikti Rusi-Ukrainë. Mund të analizohet për  sa i përket drithërave sasia e munguar në Rusi dhe Ukrainë. Por se si do përgjigjet oferta me kërkesën asnjëri nuk mund të bëjë një parashikim të saktë.

Për energjinë elektrike shyqyr ka pasur reshje dhe e rëndësishme është që të kemi reshje. Por gjithmonë do përballemi me faktin që në gusht shtator do përballemi me një situatë të thatë. Po diskutojmë me ministrinë e Energjitikës që të sigurojmë një mënyrë tjetër për furnizimin me energji. Duhet të shpejtojmë paso nuk mund të jemi peng i burokracisë.

Sipas skenarit bazë të Bankës rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.2%. Goditjet kryesisht pritet të vijnë nga çmime e larta veçanërisht të naftës dhe drithërave. Kjo pasi Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave me rëndësi jetike për shqiptarët përfshirë drithërat./abcnews.al/