Peci: Kosova të tregojë gatishmëri të plotë për dialog, Serbisë i përshtatet zvarritja

schedule14:44 - 3 Maj, 2022

schedule 14:44 - 3 Maj, 2022

Nesër, pritet të takohen në Berlin kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Derisa Serbia është e interesuar ta mbajë një ‘status quo’ që të zvarrisë sa më shumë arritjen e një marrëveshjeje, Kosova duhet të tregojë gatishmëri të plotë për dialog. Kështu thotë drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci. Ai thekson se institucionet tona nuk duhet të bien në grackë për të zvarritur dialogun.

Eksperti i çështjeve të sigurisë në një intervistë për KosovaPress thotë se nëse Serbia nuk tregon gatishmëri për dialog, janë Perëndimi dhe Bashkimi Evropian që duhet të veprojnë.

Ai flet edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për çka thekson se mund të ndodhë brenda pesë viteve.

“Roli i Serbisë është të mbajë këtë farë loje, të jetë pjesëmarrëse në dialog, mirëpo të mos jetë konstruktive në dialog. Dhe, ata do ta luajnë një rol të tillë edhe në të ardhmen… Unë mendoj që Kosova duhet t’i kryej punët e veta që të tregojë gatishmërinë e plotë për dialog, e nëse Serbia nuk tregon gatishmëri për dialog atëherë është koha për vendet perëndimore dhe Bashkimit Evropian që të veprojnë, dhe vendimi më i mençur që mund të bëjnë është njohja e Kosovës nga pesë vendet mosnjohëse. Dalëngadalë është duke u ngritur vetëdija për këtë shkop për Beogradin, ndoshta edhe vetë Beogradi dëshiron që kjo të ndodhë pasi ata nuk janë gati të arrihet një marrëveshje përfundimtarë me Kosovën”, thotë ai.

Ish-ambasadori shprehet skeptik për arritjen e marrëveshjes për targat.

“Unë nuk jam optimist për arritjen e marrëveshjes sepse Serbia po dëshiron që të mbajë një ‘status quo’ të tillë, të cilën fort mirë po e thoni, edhe që të mbajë situatën e tillë çfarë është tani duke e refuzuar që të këtë një marrëveshje të mirëfilltë për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo qëllimin i tyre është që të zvarritet ky proces përmes bisedave teknike edhe pse janë politike këto, që mundësisht t’a tejkalojë këtë situatë të tanishme të cilën e ka me Rusinë, por edhe me vendet perëndimore, këtë të zvarritë sa më shumë që është e mundshme deri në fund të mandatit të presidencës të Bidenit, po ashtu edhe të mandatit të tanishëm të Komisionit Evropian, ky është qëllimi i Serbisë, Kosova nuk duhet të bijë në këtë grackë. Mendoj që është lajm i mirë vizita e delegacionit të ShBA-së në Prishtinë në të cilën e bënë me dije që dialogu duhet të fillojë sa më shpejt, dhe që ky dialog të përfundojë me njohje reciproke mes dy vendeve”, thotë ish-ambasadori.

Sipas tij, Serbia do t’i përdorë të gjithë mekanizmat e luftës hibride derisa nuk e merr hapin vendimtar të shkëputjes nga Rusia, e që siç thotë ai, vështirë se do të ndodhë. Derisa tregon edhe për pritjet për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO, siç kam thënë ka tri rrugë të veta. E para është dialogu me Beogradin, katër vendet mosnjohëse të Kosovës, këto të dyja janë të ndërlidhura komplet, edhe janë ShBA-të. Ne duhet të punojmë në këto tri fronte që të arrijmë të hapim derën për anëtarësimin në NATO. Anëtarësimi në NATO nuk mund të behët pa njohjen prej katër vendeve mosnjohëse të NATO-s, me siguri që një proces i tillë duhet fillimisht të fillojë me partneritetin për paqe, pastaj me planin aksionar për anëtarësim po nëse situata është që e kërkon përshpejtim të proceseve, unë mendoj që Kosova ka shans që brenda 3-5 vite të bëhet anëtare e NATO-s, nëse punohet me ritëm të shpejtë në këtë aspekt”, thotë Peci.

Drejtori i institutit KIPRED flet edhe për situatën e sigurisë në vend dhe botë, përballë luftës në Ukrainë.

Në kohën kur siguria në botë është vënë në rrezik nga invazioni rus në Ukrainë, ai thotë se Rusia nuk është duke treguar ndonjë aftësi të theksuar ushtarake.

Madje, ai thotë se kjo e fundit nuk do të kishte statusin e një superfuqie nëse nuk do t’i kishte pasur armët bërthamore.

“Situata mund të eskalojë fillimisht në Moldavi, në regjionin e Transirisë, i cili është në kontrollin rus, kjo mund të përkeqësojë situatën edhe në Moldavi, mirëpo njëherë konflikti është i izoluar, nuk shoh kapacitet të Rusisë ushtarak që të përhapë luftën pasi nuk është në gjendje që të menaxhojë ne mënyrë të suksesshme as luftën, në Ukrainë përpos shkatërrime masive qe po i bën nuk është duke treguar ndonjë aftësi të theksuar ushtarake edhe të planifikimet të mirëfilltë, kështu që unë mendoj që nëse Rusia nuk do t’i kishte pasur armët bërthamore nuk do të kishte as statutin e një superfuqie botërore”, thekson Peci.

Peci shton se Perëndimi duhet të ketë kujdes se çfarë hapa do të ndërmarrë në raport me Rusinë.

“Rusia nuk do të hapë luftë bërthamore, sepse lufta bërthamore do të nënkuptonte automatikisht edhe shkatërrimin e Rusisë dhe një pjesë të Evropës dhe botës, ata do të kërkojnë armëpushim dhe si çmim për armëpushim do të kërkojnë edhe heqjen e sanksioneve, mendoj që Perëndimi këtu do të bënte gabimin më të madh nëse e legjitimon okupimin e një pjese të Ukrainës duke i hequr sanksione të Rusisë vetëm se ajo do të kërkonte armëpushim për legjitimim okupimin e këtyre pjesëve”, thotë ai.

Ish-ambasadori thotë se Rusia nuk e ka luksin të sulmojë vendet neutrale siç janë Finlanda dhe Suedia, pas vendimit të tyre për tu anëtarësuar në NATO.

“Nuk do të jetë në gjendje që të sulmojë, edhe Rusia duhet ta dijë që kërkesa për dy vende tradicionale, neutrale çfarë janë Suedia dhe Finlanda që t ‘i bashkohen NATO-s, ka ardhur si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, ka karakter vetëmbrojtës dhe nuk ka asnjë karakter ofensiv ndaj Rusisë, dhe Rusia nuk e ka këtë luks që të sulmojë këto dy vende, këto situata në raport me Ukrainën ndryshojnë sepse këto dy vende janë edhe anëtare fuqiplota të Bashkimit Evropian dhe sulmimi i një vendi të Bashkimit Evropian edhe pse nuk është anëtare e NATO-s në ditët e sotme ka edhe kuptimin e përafërt me sulmin ndaj një vendi të NATO-s”, thotë ai./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!