Axel Witsel ka vendosur të largohet në fund të sezonit nga Borussia Dortmund, pas 4 vitesh si verdhezi, pasi kontrata aktuale i përfundon në qershor të këtij viti.
Mesfushori belg iu bashkua verdhezinjve në verën e vitit 2018 nga skuadra kineze Tianjin Teda për shumën e 20 milionë eurove.
“E vërteta është që si në sezonin e kaluar, ashtu edhe këtë aktual, kemi pësuar shumë gola dhe duhet të përmirësohemi në fazën mbrojtëse. Fola në përgjithësi, sepse unë nuk do të jem këtu sezonin e ardhshëm.
Jam i gëzuar që kalova katër vite të shkëlqyera këtu dhe i mërzitur që do të largohem, por ka ardhur koha për një eksperiencë tjetër”, tha Witsel.
A do të ketë rikthim në Belgjikë? “Jo, ende është herët të rikthehem në vendlindje”, u shpreh mesfushori 33-vjeçar.
Mediat gjermane kanë raportuar se e ardhmja e lojtarit lidhet me kampionatin italian dhe atë amerikan.
Roma, Lazio, Juventus e Fiorentina janë skuadrat italiane që e pëlqejnë lojtarin, derisa Los Angeles dhe Los Angeles Galaxy e duan transferimin e tij në MLS.
Witsel në katër vite qëndrim te Borussia Dortmund ka zhvilluar 143 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 13 gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë. /f.a/abcnews.al