“Të ikte si Nano”, Kadilli për “22 Majin”: Nuk mund të bëhet garë me mbretin se bëhesh gaztor

schedule13:24 - 2 Maj, 2022

schedule 13:24 - 2 Maj, 2022

Fatbardh Kadilli ka marrë pjesë në Kuvendet që janë mbajtur brenda këtij nga Partia Demokratike dhe nuk ka ngurruar që të shprehë mendimin e tij ndryshe apo kritika që mund të ketë pasur për organizatorët. I ftuar në ABC Live me Sibora Bitrin, ish-kandidati për kreun e PD-së, thotë se sa herë që ka mundësinë, do ta shfrytëzojë për të komunikuar me demokratët.

“Shfrytëzova mundësinë për të folur. Guxoj dhe u kërkoj besimin që t’i udhëheq. Sa herë që kam mundësi për të komunikuar me demokratët, do të jem atje për të komunikuar të vërtetat që demokratët që unë besoj që duhet t’i dëgjojnë. Kjo më bën që të shkoj në çdo kuvend, me të njëjtën ndershmëri intelektuale. PD sot ka nevojë më tepër se kurrë të kuvendojë.”

Megjithatë, sipas tij, asnjë nga Kuvendet e mbajtura deri më tani nuk u ka dhënë përgjigje demokratëve.

“Duhet t’u propozojmë shqiptarëve alternativë konkurruese. Ne jemi të ndarë.”

Ndërsa analizonte Kuvendin e mbajtur më 30 prill në Pallatin e Kongreseve, Kadilli tha se mungonte reflektimi dhe se shumë pak fjalime mbanin peshë. Këto të fundit sipas tij, nuk tregonin synimin për bashkim, por të kundërtën.

“A mund t’i lexojmë ato fjalime? Ishin kundër një pale të PD-së, apo të dëgjojmë fjalimet e Berishës, më kujton atë të 2005, 2009…Kush solli një ofertë si të bashkohemi? Ata të tjerët të bëjnë partinë e tyre. Pse ky është qëllimi? Kuvendi u distancua nga bojkoti i zgjedhjeve e djegia e mandateve, autori që e formuloi i pari, ishte Berisha.”

Fatbardh Kadilli thotë se në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit, debati rrotullohej rreth bravave dhe temave që lidheshin me “agjendën e atij që udhëheq.”

“Debati është brava, po blindazhi, bravat në kokën politike si do zbërthehen?”

Ndërsa, duke u ndalur te gara që pritet të zhvillohet më 22 maj për liderin e ri të partisë, ish-kandidati për kryetar nuk i kurseu kritikat për Sali Berishën. Sipas tij, s’mund të flasim për garë kur zgjedhjet “organizohen nga mbreti”.

“Ajo që u kurorëzua me kuvendin e pardjeshëm është rruga e foltores së Berishës. Që në ditën e parë e deri të Kuvendi pardje, thjesht shtohen numra. Pse i fton njerëzit për garë në këtë shumicë personale. Nuk bëhet garë me mbretin. Se bëhesh thjesht gaztori i këtij mbreti. Prisja të ishte nënvetëdijen politike. Nano pati vetëdijen e plotë të ikte, edhe pse ishte 53 vjeç. Ai ishte pegesë për partinë e tij. Dhe prandaj partia e tij s’i humbet votat. Ka ende komunikim me elektoratin.”

Rithemelimi, për Fatbardh Kadillin është thjesht rirreshtim njerëzish. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!