5-vjeçarja me hepatit akut në Rumani nuk po i përgjigjet terapisë, alarmohen mjekët

schedule09:42 - 29 Prill, 2022

schedule 09:42 - 29 Prill, 2022

Një 5-vjeçare e diagnostikuar me hepatit akut në Rumani nuk po i përgjigjet terapisë mjekësore, gjë që ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore në vend, sipas Digi24.

Aktualisht fëmija po trajtohet në Spitalin e Fëmijëve Grigore Alexandrescu në Bukuresht. Mjekët pritet të vendosin në orët në vijim , pas një sërë analizash nëse do të jetë nevoja për transplant të mëlçisë.

Vajza 5-vjeçare është rasti i parë i konfirmuar me hepatit në vend dhe ndodhet në spital që nga fillimi i muajit.

Gjendja e saj është e qëndrueshme por nuk po përmirësohet. Mjekët kanë provuar trajtime të reja, por duket se nuk funksionojnë dhe për këtë arsye po mendohet për transplantin e mëlçisë.

Lexo edhe: ECDC: Rreth 190 fëmijë në gjithë botën me hepatit akut

Të enjten, nëna e saj shkoi në Institutin Fundeni dhe bëri analiza për të parë nëse ishte e pajtueshme dhe nëse mund t’i dhuronte një pjesë të mëlçisë vajzës.

Vajza iu nënshtrua testeve shtesë për të përcaktuar nëse vuan nga ndonjë sëmundje autoimune dhe është në pritje të rezultateve .

Ndërkohë, dy fëmijë të tjerë në Rumani, përkatësisht 8 muaj dhe 10 vjeç, janë të dyshuar për hepatit akut.

Lexo edhe: Hepatiti akut te fëmijët në Shqipëri? Bino: Nuk kemi ende raste, po ndjekim situatën

Në nivel global, deri më tani janë raportuar rreth 200 raste, i pari në Mbretërinë e Bashkuar, dhe që atëherë janë konfirmuar në Azi, Japoni, Amerikë dhe Kanada. Shumica e pacientëve janë fëmijë të moshës nga një deri në 16 vjeç .

Nga rastet e gjetura, të paktën një fëmijë vdiq dhe 17 të tjerë kanë pasur nevojë për transplantim të mëlçisë , sipas OBSH-së./abcnews.al/