Tek zona e Bregut të Lumit kanë shkuar disa ish-deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre edhe Jorida Tabaku. Ajo ka denoncuar dhunën policore ndaj banorëve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të ngrihen e të reagojnë sepse nesër sipas saj do jetë radha e tyre.
“Është e paprecedentë ajo që po ndodh në këtë zonë dhe është e padrejtë nga ana e shtetit ku po dhunohet prona dhe banesa. Është e paprecedentë dhuna shtazarake dhe unë kam ngelur pa fjalë. Zonjat që kanë mbrojtur shtëpitë e tyre sot janë dhunuar dhe janë rrahur. Që në orët e para të mëngjesit fëmijët janë zgjuar nga zhurma e këtyre makinerive dhe nuk janë lejuar që të shkojnë në shkollë. Ka mbi 5 muaj që luftojnë për të drejtën e tyre për pronën e tyre, por sot i tërhoqën zvarrë dhe i nxorën nga shtëpia. Nuk e dimë se çfarë po ndodh me banorët që janë akoma të ngujuar. Këto banorë duhet të trajtohen njësoj si 200 familjet e para të Bulevardit, duan të dëmshpërblehen për pronën e tyre dhe duan të trajtohen njësoj para ligjit. Ata po i kërkojnë qeverisë dhe shtetit që të zbatojë ligjin dhe kushtetutën”./abcnews.al