Liverpool do të përballet me Villarreal në ndeshjen gjysmëfinale të Champions League, takim që do të luhet ditën e nesërme.
Në konferencën për shtyp, tekniku i “The Reds” ka folur për sfidën me skuadrën spanjolle, teksa thekson se me ta do jetë një duel i vështirë, pasi të besuarit e Emery kanë eliminuar skuadra si Juventusi dhe Bayern Munich.
“Mund të jenë nënvlerësuar nga Juventusi dhe Bayerni i Munihut, por me ne kjo nuk do të ndodhë. Nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, do të ishte anormale e kundërta. Është e pamundur që një gjysmëfinale e Champions League të jetë e lehtë.
Kisha respekt për Emery dhe skuadrën e tij, por pasi i analizova me vëmendje thashë: Uau. Ndoshta janë nënvlerësuar nga Juve e Bayern, por me ne nuk do të ndodhë. Ata duan të shkojnë në finale, por edhe sigurisht edhe ne. Do të ketë momente ku do të vuajmë, por ne e dimë si mund ti bëjmë ata të vuajnë”, ka shtuar tekniku gjerman.
“Emery është një trajner i fiksuar pas detajeve, skuadra e tij është në gjendje të reagojë në çdo lloj rezultati. Ka një plan nëse është në avantazh, ose në disavantazh. Është një trajner i nivelit botëror, që bën një punë të jashtëzakonshme.
Duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet, të gjithë janë kundër nesh, por kjo nuk ndryshon asgjë. Nesër kemi nevojë për një atmosferë si ajo kundër Barcelonës. Mezi pres që të filloj ndeshja”, ka thënë Klopp. /f.a/abcnews.al