Kërkesat për azil në Holandë, Harbers: Nuk ka shanse për ta përfituar

schedule19:54 - 8 Prill, 2019

schedule 19:54 - 8 Prill, 2019

Nuk ka asnjë shans për të përfituar azil në Holandë. Deklarata vjen nga ministri për Emigracionin në Holandë, Mark Harbers, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë. Pas një takimi me zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, ministri holandez tha gjithashtu se numri i shqiptarëve që tentojnë të kalojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar mbetet i lartë.

Holanda mbyll dyert për emigrantët shqiptarë që shkojnë për të kërkuar azil. Ministri për Emigracionin, Marks Harbers, në një deklaratë për mediat me zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, u tregua i prerë.

“Nuk ka asnjë shans për këta emigrantë për të fituar azil në Holandë. Edhe nëse dikush nuk kthehet në mënyrë vullnetare në Shqipëri, atëherë do të bëhet objekt i një rikthimi të detyruar, që përfshin edhe ndalimin administrativ”, tha ai.

Sanksione të ashpra paralajmëroi ministri holandez për ata që synojnë të përdorin këtë shtet për të kaluar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

“Për ata të cilët iu shkon në mendje që të kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin nga Holanda për në Mbretërinë e Bashkuar, çdo përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme Kanalin ka vetëm një rezultat: në një biletë vetëm kthimi për në Shqipëri dhe një ndalim udhëtimi për dy vjet në gjithë zonën “Schengen””, u shpreh ministri.

Numri i shqiptarëve të paligjshëm në portet detare holandeze, të cilët përpiqen të kalojnë ilegalisht për në Mbretërinë e Bashkuar tha Harbers mbetet i lartë. Ata sipas ministrit holandez përbëjnë më shumë se gjysmën e emigrantëve, të cilët bëjnë përpjekje të tilla. Ndërkohë zëvendësministrja e Brendshme Voda mendon ndryshe.

“Vërejmë me kënaqësi që masat e marra kanë dhënë deri tani një efekt të dukshëm pozitiv, në përgjithësi. Për vitin 2018, sipas të dhënave të Eurostat kemi një ulje në krahasim me vitin paraardhës, rreth 20 % të kërkesave për azil”, tha ajo.

Ministria e Brendshme, sipas zëvendësministres, ka hartuar dhe po zbaton një Plan Veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenit të azilit në vendet e BE-së dhe zonën “Schengen”. /abcnews.al