PD ndryshon sistemin e përzgjedhjes së kandidatëve

schedule21:30 - 5 Prill, 2019

schedule 21:30 - 5 Prill, 2019

Kandidatët e Partisë Demokratike do të përzgjidhen sipas një sistemi të ri që po ndërtohet me ndihmën e partnerëve perëndimorë.  Prezantimin e këtyre ndryshimeve kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës.

 

Partia Demokratike do të ndryshojë sistemin e përzgjedhjes së kandidatëve. Prezantimin e bëri kryetari Lulzim Basha në bashkëbisedimin me disa studentë në Korpusin e Universitetit Politeknik të Tiranës.

“Ne po adoptojmë një model evropian brenda partisë tonë. Unë jam i vendosur ta modernizoj dhe ta demokratizoj Partinë Demokratike, dhe për këtë kam mbështetjen e botës perëndimore. Të partisë Konservatore në Angli, CDU-së Gjermane, Partisë Republikane Amerikane”.

Me sistemin e ri kryedemokrati nënvizon hapjen e Partisë Demokratike ndaj çdokujt dhe ju jep mundësinë përmes garës të kontribuojnë nëqoftëse duan të marrin përgjegjësi publike.

“Që të ndryshojë politika, në radhë të parë duhet të ndryshojnë faktorët e politikës, që janë partitë politike. Nëse brenda partive politike, gjithë vendimmarrja është në dorën e një njeriu, në rastin konkret të kryetarit të partisë që bën listën e kandidatëve për deputetë, ashtu do të jetë nesër dhe shteti, në dorën e një njeriu. Ne do ti japim fund kësaj praktike. Unë ju jap fjalën se jam i vendosur ti jap fund kësaj praktike, duke nisur brenda Partisë Demokratike sot, dhe nesër në qeverisje”.

Në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve do të mundësohet që çdokush që ka interes të përfaqësojë politikisht qytetarët, komunitetin, në çdo lloj niveli, të kenë mundësinë të garojnë. Në fund do të jetë merita ajo që do të përcaktojë se kush do të jetë ai/ajo që do të përfitojë përmes votës së lirë dhe përmes një vlerësimi transparent, mundësinë për të përfaqësuar nesër PD-në në  Parlament.

“Natyrisht do ta bëjmë këtë duke i pamundësuar garimin njerëzve me rekorde kriminale, apo njerëzve që vijnë aty me para për të shumfishuar paratë e tyre, jo për ti shërbyer qytetarëve apo njerëzve që nuk ndajnë vlerat tona. Britanikët do të na ndihmojnë dhe po na ndihmojnë që ne të ndërtojmë tashmë një mënyrë të zbatimit të këtyre rregullave”.

Në bashkëbisedimin me të rinjtë kryetari i Partisë Demokratike premtoi se në qeverisjen e demokratëve asnjë student nuk do të mbetet pa studiuar  nëse familja nuk ka mundësi ekonomike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!