Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden ka vendosur të reagojë ndaj akuzave sipas të cilave, ai është sjellë në mënyrë të papërshtatshme me disa gra. Biden këmbëngul se sjellja e tij është një shfaqje e pafajshme ngrohtësie ndaj bashkëbiseduesit,pavarësisht nëse është mashkull apo femër. Por gjithsesi, ai premtoi se do të respektonte hapësirat në të ardhmen.
Pas denoncimeve të shumta nga gra që pretendojnë se janë vënë në siklet nga sjellje të papërshtatshme të ish-zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden premton se në të ardhmen do të respektojë më shumë hapësirën personale të grave me të cilat bashkëbisedon.
“Normat e shoqërisë sonë kanë ndryshuar dhe kufijtë për të mbrojtur hapësirën personale janë rivendosur dhe unë e kuptoj atë që doni të thoni. Do të jem më i kujdesshëm”, shprehet Biden në një video.
Ish zv/presidenti amerikan, i cili sheh t’i rrezikohet emërimi për kandidaturën demokrate prej këtyre akuzave, nuk kërkon falje. Por ai e cilëson sjelljen e tij si të pafajshme dhe siguron se është sjellë në të njëjtën mënyrë dhe me gjininë mashkullore.
Por menjëherë pas publikimit të videos nga 77-vjeçari, mediat amerikane publikuan raste të reja ku gra të tjera akuzojnë Biden se është sjellë në mënyrë të papërshtatshme, duke çuar në shtatë numrin e akuzuesve./abcnews.al