Në Kosovë thonë se ka hequr dorë, në Serbi Kurtin e akuzojnë për “Shqipëri të Madhe”

schedule19:27 - 18 Prill, 2022

schedule 19:27 - 18 Prill, 2022

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën greke e –Kathimerini. Pjesë të saj janë publikuar para disa ditësh, ndërsa e plotë është publikuar sot. Pasi u ka rënë në dorë, mediat serbe deklaratat e Kurtit i kanë interpretuar në kuptimin që Kurti angazhohet ende për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Në Kosovë ka kohë që mendohet se bashkimi kombëtar ka qenë vetëm një retorikë e Kurtit për të ardhur në pushtet.  Për çështjen e bashkimit kombëtar flet ndonjëherë – kur i bëhen pyetje, siç është rasti me një intervistë në një gazetë greke.

Pyetjes për bashkim të Kosovës me Shqipëri, Kurti u është përgjigjur se tani ai dëshiron të forcojë Kosovën.

“Ne duam ta forcojmë Kosovën. Referendumi për bashkim me Shqipërinë nuk lejohet në bazë rë Kushtetutës sonë. Kushtetuta jonë është e rregulluar nga ndërkombëtarët, ka një nen që nuk na lejon të bashkohemi me një shtet tjetër. Dhe kjo është e vështirë të ndryshojë”.

Por, e njëjta intervistë është keqinterpretuar në Beograd. Atë sot e keqpërdori qëllimshëm shefi i zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, me të cilin pala kosovare negocion në dialogun Kosovë –Serbi.

Petkoviç i cili Kosovën e konsideron “krahinë” ka thënë se Kurti ka për qëllim ta krijojë “Shqipërinë e Madhe”

“Ai dërgon njësitë ROSU në komunitetet serbe dhe kështu vazhdon të shprehë qëllimet dhe idetë e tij të rrezikshme dhe militante, duke përfshirë formimin e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, ka thënë Petkoviç.

Por, nuk është ky shtrembërimi i vetëm që iu bë kësaj interviste. Me argumentet e “Shqipërisë së Madhe” u shërbyen edhe mediat që kontrollon Vuçiç.

Sipas B92, Kurti insiston në bashkimin kombëtar pavarësisht pasojave, pavarësisht se këto fjalë nuk ekzistojnë në intervistën në fjalë.

Në Beograd duket se kanë qëllime të qarta, ta ushqejnë opinionin atje me deklarata për Shqipërinë e Madhe si dhe dikë të painformuar në bashkësinë ndërkombëtare./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!