Zyrtarët ukrainas kanë raportuar më shumë viktima civile të dielën mes sulmeve me raketa dhe artilerie në rajonet Kharkiv dhe Luhansk.
Anton Gerashchenko, një këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës tha se pesë persona kishin vdekur dhe 13 u plagosën gjatë sulmeve të reja me raketa në Kharkiv.
Gerashchenko tha në llogarinë e tij në Telegram: “Qendra e qytetit u granatua rreth orës 13.30 dhe 14.00. Pushtuesit qëlluan qytetin nga raketahedhës të shumtë. U dëmtuan ndërtesa banimi dhe administrative. Ka zjarre në lokacione të ndryshme në qendër të qytetit.”
Në rajonin fqinj Luhansk, Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake, tha se një pjesë e vogël e njerëzve ishin evakuuar nga qytetet Lysychansk dhe Severodonetsk. “Ishte e pamundur të merreshim vesh me pushtuesit për një armëpushim përgjatë rrugëve të evakuimit sot”, tha ai.
Haidai tha se në të njëjtën zonë, qyteti i Zolote u vu nën zjarr. Dy persona u vranë.
“Nuk ka asgjë përreth vendit përveç shtëpive të banimit.” tha ai. “Rusët goditën qëllimisht civilët.”
Lyudmila Denisova, Komisionerja e Parlamentit të Ukrainës për të Drejtat e Njeriut, tha se furgonët e bukës ishin shënjestruar në Lysychansk. Dhe qyteti i Novodruzhsk në të njëjtën zonë ishte goditur gjithashtu nga granatimet. Një shtëpi është shkatërruar, tha ajo
Denisova tha se gjithsej brenda 24 orëve deri të dielën në mesditë, 16 ndërtesa banimi në rajonin e Luhansk ishin shkatërruar. /Abcnews.al/