Xhenisa është 21 vjeçe. Në shpirt mban një peshë të madhe, sëmundjen e rëndë që ka prekur fëmijën e saj të parë, Lean e cila ende nuk i ka mbushur 2 vjeç.
Lea u diagnostifikua me kancer në shtyllën kurrizore. Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” e përcolli historinë e dhimbshme të dy prindërve dhe vogëlushes së tyre javën që lamë pas.
Këtë të shtunë po sjellim për lexuesin momentin kur Fatma Naçi takoi Xhenisën, për t’i dhënë lajmin e bukur se paratë për kurimin e Leas jashtë shtetit, janë mbledhur tashmë nga shqiptarët bamirës.
Një takim shumë emocionues mes Fatmës e Xhenisës, ndërsa kjo e fundit mundohet të mbajë lotët. Fatma i kërkon Xhenisës që t’i premtojë se do të mundohet të bëhet e fortë, pasi ka mësuar një detaj mjaft trishtues.
Pjesë nga biseda mes Fatmës e Xhenisës:
Fatma: Nuk e ke idenë sesa përpjekje janë bërë, që avioni sanitar të ulet sot. Unë vij me një kënaqësi shumë të madhe për të të treguar se paratë për vajzën janë mbledhur dhe avioni është gati për Lean. Do më japësh një premtim, do të mbash veten fort, nuk dua të dëgjoj më që të bien të fikët…vazja do të bëhet mirë shumë shpejt.
Xhenisa: Me mbështetjen e kurajon që më ke dhënë… faleminderit shumë.
Fatma: Je një vajzë e re e t’u desh të përballeshe me këtë sprovë shumë shumë të madhe.
Xhenisa: Ju falenderoj shumë për çdo gjë.
Fatma: Ke lutjet tona me vete, nga ana njerëzore po bëjmë përpjekjet maksimale. Të gjithë lutjet e shqiptarëve janë me ty.
Xhenisa: Ju falenderoj shumë shumë, të gjithëve. Më ke mbështetur shumë, të jam falenderuese.
Fatma: Mos qaj më Xhenisa, tani do të gëzosh. Dhimbje Lea nuk do të ketë, nuk do të mbajë mend këto dhimbje sepse është ende shumë e vogël.
Xhenisa: Kur ne i kishim humbur shpresat, ju ishit bashkë me ne, shumë faleminderit.
/abcnews.al/