Manchester City u kualifikua në gjysmëfinalet e Champions League dhe Pep Guardiola u fut në histori, pasi ka shkuar 9 herë në këtë fazë, 4 herë me Barcelonën, 3 herë me Bayern dhe dy herë me “Qytetarët”, si asnjë trajner tjetër.
Kundër Atletico Madrid anglezët vuajtën dhe trajneri spanjoll pas ndeshjes deklaroi: “Në pjesën e dytë ata luajtën më mirë, nuk arritëm të rikuperonim topin shpejt. Në 180 minuta, ata luajtën më mirë vetëm në 45 minutat e fundit”.
“Nuk mund të bëjmë gjithmonë nga 3-4 gola. Nuk e zotëruam topin dhe nuk mund të dominonim lojën në pjesën e dytë. U mbrojtëm? Nuk kishim zgjedhje tjetër. Tani le të festojmë.Për ne është një sukses i madh dhe jam shumë i lumtur që arritëm këtë objektiv”.
“Në pjesën e parë kishim mundësi për të shënuar, por në përgjithësi e merituam kualifikimin. Atletico na detyroi të mbroheshim. Nuk na pëlqen, por nuk kishim zgjedhje tjetër. Publiku e mbështeti shumë skuadrën kundërshtare”.
“Kisha thënë që ka skuadra që mbrohen me shumë lojtarë dhe atyre është e vështirë t’u bësh gol. Shtypi thotë që Simeone luan gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Unë kam thënë gjithmonë fjalë të mira për Atleticon”, përfundoi Guardiola. / abcnews.al