Kontributi shkencor dhe akademik i Prof. Dr. Vehbi Hoti

schedule14:06 - 13 Prill, 2022

schedule 14:06 - 13 Prill, 2022

Nga Prof. dr. Refik Kadija

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes

Prof. dr. Vehbi Hoti është një personalitet i shquar i arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Që nga viti 1965 e deri më 2018, plot 53 vjet pa ndërprerje, ai i është përkushtuar arsimit në përgjithësi, posaçërisht arsimit të lartë, si pedagog i Universitetit të  Shkodrës (USH) “Luigj Gurakuqi”.

Shkollimi dhe punësimi

U lind në Shkodër, 80 vjet më parë, me 06.04.1942. Arsimin parauniversitar e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1961 ndoqi sudimet e larta në degën Bio-Kimi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë, por me një specifikë të veçantë. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik ndërpreu edhe përgatitjen e specialistëve të fushës së psikologjisë dhe pedagogjisë. Universiteti i Tiranës nuk kishte një degë të tillë. Për të plotësuar disa nevoja qeveria kishte vendosur  të hapej një degë e tillë në Fakultetin e Histori – Filologjisë, duke përzgjedhur një grup të vogël studentësh prej 8 vetash nga vitet e dyta te degëve të mësuesisë të Fakultetit Histori-Filologji (Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi, Gjuhë të Huaja) dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës (Bio-Kimi).

Plani mësimor i kësaj dege të re ishte pak a shumë i Universitetit të Moskës ku ishin përgatitur specialistët e kësaj fushe, me ndonjë shtesë. Fakultetit i Shkencave të Natyrës kishte përzgjedhur dy studentë të degës së bio–kimisë për të ndjekur studimet e kësaj dege: Beqir Osmanin nga Kukësi dhe  Vehbi Hotin nga Shkodra.

Gjatë semestrit të dytë të vitit të katërt, dekanati njoftoi dy studentët e biokimisë që ndiqnin degën e psikologji – pedagogjisë të paraqiteshin në një takim në Ministrinë e Arsimit – Kulturës (MAK), ku ministri Thoma Delijana u komunikoi të dyve që sapo të diplomoheshin do të emëroheshin në Tiranë.

Vehbi Hoti do të ishte metodist në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkollore(ISBSH)  që do të hapej për herë të parë në Shqipëri. Kështu që me 1 gusht 1965 filloi punën në sektorin e pedagogjisë të këtij Instituti. Me dëshirën e tij, më 10 shkurt 1966, Vehbi Hoti u emërua pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (ILPSH).

Profesori është nga një familje punëtore qytetare shkodrane me tradita dhe kontribute në fusha të ndryshme veçanërisht në atë arsimore. Tre vëllezër të familjes Hoti, me bashkëshortet e tyre kanë qenë arsimtarë. Tetë nipa e mbesa punojnë në fushën e arsimit, tre prej të cilëve janë diplomuar në dy fakultete dhe janë pedagogë universitarë me tituj e grada shkencore.

Bashkëshortja, zonja Fitnete e diplomuar për matematikë – fizikë ka qenë mësuese dhe drejtoreshë shkolle në Mirditë, zv.drejtoreshë e shkollës së mesme Bushat, drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve Parashkollorë në Shkodër dhe mësuese në shkollën 8 vjeçare “Perlat Rexhepi” ku dhe ka dalë në pension. Profesori ka tre djem. Djali i madh Dritan është jurist, avokat. Dy djemtë e tjerë binjakë janë diplomuar në dy degë. Bledari fillimisht u diplomua në Histori – Gjeografi në Universitetin e Shkodrës (USH) e pastaj në Gazetari në Universitetin e Tiranës (UT). Djali tjetër Arbeni mbaroi fillimisht degën Bio-Kimi në USH dhe pastaj degën e Psikologjisë në UT, ku u diplomua si “Psikolog klinik” dhe ka gradën “Doktor i Shkencave”. Sot është pedagog në USH duke ndjekur rrugën e të atit.

Zhvillimi i tejskajshëm i luftës së klasave në ato vite, me gjithë paradosket dhe rastet e çuditëshme të saj, preku edhe profesorin e nderuar. Prof.Vehbiu u përball me shqetësime biografike dhe jo vetëm një herë. Por në të njëtjën kohë, ai përjetonte kënaqësi nga mbështetja, ndihma dhe vlerësimet e larta për punën e detyrat që kryente, nga titullarët e ILPSH të atyre viteve: nga i ndjeri Mihal Prifti dhe drejtoresha Dhora Lloja, nga kolegët dhe nga studentët e shumtë të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit.

Burri i një prej tezeve të profesorit, Hafiz Sali Myftia, ish- Kryemyfti i Shkodrës, Kukësit dhe Tropojës, së bashku me djalin e madh të tij, në fund të nëntorit 1944, si shumë nacionalistë të tjerë, u larguan nga Shqipëria. Këtë fakt rastësor biografik profesori e kishte shkruar vetë në çdo biografi që i kërkohej të plotësonte, në çdo dokument personal.

Një ndër shqetësimet biografike më të rënda që përjetoi profesor Vehbiu ndodhi në vitin 1977, kur Komiteti i Partisë i Shkodrës e largoi nga ILPSH, duke e argumentuar si  gjoja “qarkullim”, dhe e dërgoi si mësues në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”, ndonëse një masë të tillë nuk e miratoi as drejtoresha e Institutit dhe as mbledhja e kolektivit. Pamvarësisht kësaj, drejtoresha urdhëroi t’i jepej norma maksimale e padagogut të jashtëm. Jo vetëm kaq. Pas tre muajsh që prof. Vehbiu kishte filluar punën në shkollën pedagogjike u festua 20 – vjetori i Institutit, në të cilin u dekoruan 6 – 7 punonjës nga Presidenti i Republikës, ndër të cilët, me propozimin e drejtorisë, u dekorua edhe profesori.

Kudo ku punoi Prof. Vehbiu ka lënë gjurmë të pashlyeshme e të  vyera. Në shkollën pedagogjike punoi dy vjet (1977-1979. Përveç mësimdhënies cilësore, ai ngrit muzeun historik të shkollës, organizoi një sesion shkencor me rastin e 60-vjetorit të themelimit të saj dhe botoi broshurën “60-vjetori i shkollës së mesme pedagogjike ‘Shenjaze Juka’”.

Në shtator të vitit 1979 u transferua në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit. Aty ai u angazhua në zgjerimin dhe pasurimin e Muzeut të Arsimit, botoi dy broshura për përvojën e shkollave më të mira të rrethit. U ngrit dhe një grup pune për të hartuar historikun e zhvillimit të arsimit në Shkodër, nga lashtësia deri në 1980, i cili u hartua në dy vëllime dhe iu dorëzua ISP Pedagogjike në Tiranë. Një nga bashkautorët e këtij historiku ishte edhe profesor Vehbiu.

Në prag të vitit mësimor 1981-1982, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit miratoi kërkesën e drejtoreshës Dhora Lloja për rikthimin e Vehbi Hotit në Institut. Kështu më 15 shtator 1981 ai u thye sërish në Institut  ku punoi qetësisht deri më 2018.

Angazhimi në mësimdhënie. Detyra dhe përgjegjësi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Gjatë karrierës së tij prof. Vehbiu ka zhvilluar shumë lëndë të fushës si “Pedagogji”, “Histori e pedagogjisë”, “Psikologji moshore”, “Psikologji personaliteti”, duke u përqendruar vitet e fundit në lëndën “Hyrje në psikologji” në degën e Ciklit të Ulët, të Edukatores, të Psikologjisë e Punës Sociale si dhe në Master të Mësuesisë.

Ka dhënë kontribute të rëndësishme në përpunimin e planeve mësimore, hartimin e programeve mësimore dhe botimin e teksteve. Në këto drejtime e ndihmoi puna këmbëngulëse për kualifikimin shkencor dhe marrja e përvojës në disa shtete: Itali, Austri, Angli, Rusi dhe Danimarkë.

Prof. Vehbiu ka ndjekur, dhe ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv në të gjitha fazat e zhvillimit të Universitetit të Shkodrës ku ka dhënë ndihmën e kontributin e vet si ligjërues e studiues  dhe ka kryer detyra të ndryshme në kalimet nga ILP me afat studimi dyvjeçar, në atë trevjeçar e më pas në atë katërvjeçar, duke vazhduar me sukses në periudhën  më cilësore – në atë të themelimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Për 16 vite (1967-1997, 1983-1987) ka qenë anëtar dhe sekretar i Këshillit Shkencor të ILP-së Shkodër dhe për 15 vite (1970-1977, 1983-1989) sekretar i redaksisë së “Buletinit Shkencor”, organ i Institutit.

Organet shkencore, gjatë sistemit komunist botoheshin vetëm me miratim të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. “Buletini Shkencor” i ILPSH ishte e vetmja revistë shkencore që botohej jashtë Tiranës. Nga 1971 filloi të dalë me nga dy numra në vit, i profilizuar për shkencat shoqërore. Ky organ ka luajtuar një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e mbështetjen e punës studimore, shkencore të pedagogëve dhe të bashkëpunëtorëve shkencorë të Shkodrës dhe të rretheve të tjera. Interes të veçantë kishin studiuesit e Kosovës dhe arbëreshët e Italisë.

Një kontribut të veçantë Prof. Vehbiu ka dhënë në ngritjen, organizimin e drejtimin e Fakultetit të Ciklit të Ulët (më pas Fakulteti Shkencor i Edukimit), që në një kuptim mund të themi se ka qenë themeluesi i tij.

Në vitin mësimor 1981-1982 pranë ILP-ve të Shkodrës, Elbasanit dhe të Gjirokastrës u hap për herë të parë në Shqipëri, Dega e Përgatitjes së mësuesve për klasat I-IV të shkollës 8-vjeçare (Dega Cikli i Ulët, DCU) me afat studimi 3-vjeçar.

Dega e Ciklit të Ulët ishte një njësi mësimore-edukative që varej drejtpërdrejtë nga Drejtoria e Institutit, e cila ngarkoi Vehbi Hotin për t’u marrë me të gjitha problemet që lidheshin me këtë degë. Problemet ishin të shumta, duheshin bashkërenduar mes tre instituteve, etj.

Për këtë qëllim më 15 janar 1982 pranë Drejtorisë së Arsimit të Lartë të MAK u ngrit “Komisioni i Degës së Ciklit të Ulët” i ngarkuar për të ndjekur dhe zgjidhur të gjitha problemet që dilnin në këtë degë. Në këtë komision bënin pjesë tre vetë Tomor Araniti, përgjegjës  i komisionit (Instituti i Elbasanit), Viktor Terpo nga Gjirokastra dhe Vehbi Hoti nga Shkodra.

Dega e CU-së ishte pararëndësja për ngritjen e Fakultetit të Ciklit të Ulët (më pas Fakulteti i Shkencave të Edukimit). Ndryshimet e thella demokratike që u realizuan pas viteve ’90 të shekullit të kaluar hapën rrugën e zhvillimeve cilësore, si në të gjitha fushat, edhe në atë të arsimit. Në këto rrethana ILPSH fitoi statusin e plotë universitar me vendim të Këshillit të Ministrave, datë 28.05.1991, në bazë të të cilit ILPSH riorganizohet duke u kthyer në Universitet me tre fakultete njëri nga të cilët është Fakulteti i Ciklit të Ulët me tri katedra: Psikologji-Pedagogji Lëndët Artistike dhe të Edukimit Fizik. Me vendim të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës Vehbi Hoti u emërua dekan i tij.

Edhe pas ngritjes së universitetit ai u ngarkua me detyra e funksione të rëndësishme. Për disa vite ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedagogji-së; për 13 vite (1991-2003) dekan i këtij Fakulteti; për 18 vite (1991-2008) anëtar i Këshillit të Universitetit (nga viti 1994 Senat i Universitetit), ku ka dhënë ndihmesën e vet në hartimin e miratimin e dokumenteve themelore të punës së universitetit dhe ka kryesuar komisionet e punës mësimore dhe të veprimtarive shkencore; për 11 vite (2001-2012) – anëtar i Këshillit të Fakultetit; dhe për 14 vite kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit të Buletinit Shkencor të Universitetit (2004-2017).

Pati një angazhim tepër serioz nga stafi i fakultetit për të bërë ndryshime të thella e të gjithanshme, cilësore në strukturë e në përmbajtje të punës mësimore e shkencore.

Gjatë vitit mësimor 1996-1997, profesor Vehbiu ndërmori një studim të hollësishëm për vlerësimin dhe riorganizimin e FCU-së. Senati i USH-së i miratoi kërkesat e prof.Vehbiut për hapjen  e degës së përgatitjes së edukatoreve, për dhënien e FCU-së të statusit të plotë universitar duke kaluar nga afati 3 vjeçar në katër vjeçar të studimit si dhe për ndryshimin e emërtimit të Fakultetit të Ciklit të Ulët në Fakultetit i Shkencave të Edukimit ashtu siç ishin homologët europianë. Këto kërkesa u realizuan me vendime të qeverisë dhe të MAK.

Kontribute në fushën e studimeve shkencore dhe në atë të botimeve

Krahas veprimtarisë së mësimdhënies, shumë shpejt Profesor Vehbiu iu përkushtua me pasion punës studimore dhe veprimtarisë botuese duke u bërë modeli i pedagogut që ka harmonizuar dhe ndërlidhur si diçka të pandarë trinomin mësim-kërkim shkencor-botim.

Profesor Vehbiu dallohej për një punë serioze shkencore, kishte kërkesa të larta ndaj vetes dhe kolegëve. Dëshmi për këtë është edhe qëndrimi që ai mbajti për temën e doktoraturës së tij, gjë që na duket me interes të ndalemi, sepse me sa jemi në dijeni është një rast unikal. Kishte të miratuar  nga ISP i Tiranës temën “Zhvillimi i arsimit në rrethin e Shkodrës në vitet 1965-1985”. Kishte punuar disa vite, botuar disa pjesë dhe përfunduar plotësisht disertacionin më 1991. Disertacioni u miratua për mbrojtje nga sektori përkatës i ISP-së dhe udhëheqësi shkencor dhe do të paraqitej para komisionit për mbrojtje. Por, ai hezitoi. Punimi kishte gjëra me vlerë, por ishte tepër i politizuar dhe i ideologjizuar në bazë të kritereve të kohës. Vendosi të tërhiqej, megjithëse drejtuesit e ISP-së dhe udhëheqësi shkencor i thonin ta mbronte. Por ai donte  të ishte i qetë me ndërgjegjen e vet dhe më kërkesat e kohës, me ndryshimet rrënjësore që po përjetonte shkolla dhe shoqëria shqiptare. Pasi merr miratimin e rektorit të USH-së, i kërkoi zyrtarisht drejtorit të ISP-së të Tiranës, z.Kozma Grillo, në letrën e datës 15.04.1992, tërheqjen nga mbrojtja e disertacionit të dorëzuar, ku në mes të tjerave i shkruan:

“Kam vendosur të tërheq mbrojtjen e kësaj teme. Tema është konceptuar dhe trajtuar mbi bazën e kritereve ideologjike e shkencore të njëanshme moniste markiste-leniniste që nuk përputhen me zhvillimet demokratike që kanë ndodhur dhe po thellohen në shoqërinë dhe shkollën tonë. Me gjithë mendimin dashamirës dhe shoqëror të sektorit përkatës të ISP-së dhe të udhëheqësit shkencor, se me një redaktim të lehtë mund të lehtësohet nga citimet dhe të mbrohet, unë nuk e shoh të arsyeshme ta paraqes për mbrojtje”.

Por profesori i nderuar nuk u tërhoq nga hulumtimi shkencor dhe këmbëngulja për kualifikim pasuniversitar. I miratohet tema që lidhej me kontributin e Luigj Gurakuqit për shkollën shqipe e arsimin kombëtar. Iu desh shumë punë e përpjekje për 3-4 vjet për përfundimin e temës së re të doktoraturës, e cila u vlerësua maksimalisht nga komisioni përkatës. Dhe më pas u botua si monografi.

Ka botuar më se 50 punime në organe të ndryshme shtypi dhe ka marrë pjesë në më shumë se 60 sesione shkencore dhe konferenca shkencore. Drejtimet themelore të punës studimore – shkencore – botuese kanë qenë problemet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik e psikologjik shqiptar, me studimin e kontributeve arsimore e pedagogjike të disa personaliteteve të shquara si: Naim Frasheri, Zef Jubani, Ismail Qemali, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani, Gaspër Beltoja, Sheuqet Muka, Et’hem Osmani, Halim Shpuza, etj. Punime me interes janë shkrimet për kontributet e disa kolegëve të shquar të U.SH.-së si Mihal Prifti, Prof. Vehbi Bala, Prof. dr. Jup Kastrati, Prof. dr. Nuri Abdiu, studiuesit e mirënjohur Islam Dizdari e Faik Luli. Janë vlerësuar punimet e tij për: politikën arsimore të Qeverisë së Vlorës (1912 – 1914), zhvillimet arsimore në zonën e pushtimit austro – hungarez (1916 – 1918), politika arsimore e Ataturkut në Turqinë e Re, roli i revistës “Zani i Naltë” për problemet e edukimit 1923 – 1928, shkollat shqipe gjatë Luftës së Parë Botërore në Ulqin e rrethinat e tij, etj. Shumë vite i ka kushtuar studimit të kontributit të Luigj Gurakuqit për shkollën shqipe e arsimin tonë kombëtar.

Është autor i monografive: “Luigj Gurakuqi, për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar” (2002), “Et’hem Osmani – Mësues i Popullit” (2012), si dhe i botimeve të veçanta: “Shkolla e mesme pedagogjike Shejnaze Juka, në 60 vjetorin e saj” (1978), “Përvojë të punës mësimore edukative të shkollave të rrethit të Shkodrës” (1980) dhe “Përvojë e shkollave të Shkodrës për kualifikimin dhe veprimtarinë shkencore” (1981). Akademiku Prof. Bedri Dedja e ka vlerësuar shumë kontributet e Prof. dr. Vehbi Hotit në fushën e studimit të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Pasi u njoh me monografinë e tij kushtuar Lujigj Gurakuqit, shkruan se: “Për mua tanimë, nuk ka asnjë dyshim se Vehbi Hoti është ndër studiuesit më të shquar të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar”

Është bashkautor i teksteve të psikologjisë për shkollat e larta: “Hyrje në psikologji” (2016), “Didaktika për degët e mësuesisë të ciklit të ulët” (1990), “Psikologjia moshore për kursin pasuniversitar të psikologjise të UT-së” (1989) dhe “Psikologjia për shkollat e larta, në 2 vëllime” (Botim i Universitetit të Tiranës (UT) 1984). Gjithashtu, është bashkautor në dy tekste të pedagogjisë për shkollat e mesme (1972, 1975).

Është një nga njohësit më të mirë të historikut të U.SH-së. Në këtë kuadër është bashkautor dhe redaktor i monografive: “Instituti Pedagogjik i Shkodrës – 10 vjetori i themelimit, 1957 – 1967”, “20 vjetori i ILPSH, 1957 – 1977”, “Historiku i Institutit të Lartëë Pedagogjik të Shkodrës – 30 vjetori” (1978), “Historiku i fakultetit të ciklit të ulët, 1981 – 2001” (2001), “Universiteti i Shkodrës ndër vite, 1957 – 2002” (2002), “Universiteti  i Shkodrës në 50 vjetorin  e tij” (2007), “Universiteti i Shkodrës në 100 vjetorin  e pavarësisë” (2012).

Prof. Vehbiu ka qenë udhëheqës, koordinator i disa projekteve ku është angazhuar fakulteti, sidomos me Qendrën Shqiptare të të Drejtave të Njeriut, si në projektet për “Rehabilitimin Psiko-Social” të fëmijëve kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre nga pushtuesit serb”, ku u trajnuan 190 fëmijëve kosovarë në shkollën verore dymujore “Gëzimi i Jetës”; “Përgatitja e studentëve/mësues për edukimin e të drejtave të fëmijëve në Ciklin e Ulët”, etj.

Bashkëpunimi me uiversitete dhe institucione të ndryshme

Ka bashkëpunuar me disa universitete. Kanë qenë tepër të herëshme marëdhëniet e bashkëpunimit fillimisht me katedrën e pedagogjisë të Fakultetit të Histori – Filologjisë të Universitetit të Tiranës e më pas me Fakultetin e Shkencave Sociale të këtij universiteti. Ai ka qenë bashkëautor për tekstin e Psikologjisë së Përgjithshme në dy vëllime dhe të Psikologjisë Moshore për kursin pasuniversitar të psikologjisë, i hapur pranë këtij fakulteti, oponent për tekstin e pedagogjisë dhe më pas me Fakultetin e Shkencave Sociale të U.T.-së për udhëheqje e doktoraturave në fushën e psikologjisë dhe anëtar i Komisionit për Mbrojtjen e doktoraturave në këtë fushë; Me Universitetin e Tetovës në Maqedoni (2002 – 2006) si pedagog i lëndëve “Histori e Psikologjise” dhe “Psikologji e Përgjithshme”. Me vendim të Komisionit Amë për themelimin e Universitetit të Tetovës, me 2.06.2004. është zgjedhur në komisionin për të vlerësuar e përzgjedhur kandidaturat e mundëshme për mësimdhënës dhe bushkëpuntor në Drejtimin Psikologjik në këtë universitet. Për 14 vite, nga 2004 deri në 2018, Prof.  Vehbiu ka qenë pedagog i lëndës së psikologjisë në Programin e Përgatitjes së Mësuesve të Ciklit të Ulët në Universitetin e Malit të Zi. Në vitin 2007 ka qenë i ngarkuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, si vlerësues i teksteve për shkollat shqipe ku ka recensionuar 16 tekste shkollore për klasat I – IX.

Me majft interes për fakultetin ishte bashkëpunimi me Universitetin e Klagenfurtit të Austrisë. Me shkëmbime grupe studentësh dhe pedagogësh për trajtimin e problemeve psikologjike dhe njohjen nga afër me sistemin arsimor austriak, me procedimet didaktike, organizimin dhe drejtimin e punës në shkollë. Nji bashkëpunim dy-vjeçar pati departamenti i psikologji – pedagogjisë me fondacionin danez “Red Barnet”.

Në vitin 2004, Prof. Vehbiu emërohet kryeredaktor i serisë së shkencave didaktike të Buletinit Shkencor të USH, të cilën e mbajti deri më 2017. Ai forcoi kërkesat për rritjen e cilësisë dhe recensionimin e punimeve, u përcaktuan më qartë fushat që do të përfshini psikologjia, pedagogjia e sociologjia. Me propozimin e tij rektorati miratoi ndryshimin e emërtimit të revistës nga Seria e Shkencave Didaktike në Seria e Shkencave të Edukimit. Gjatë viteve që profesor Vehbiu ka qenë sekretar i redaksisë së “Buletinit Shkencor”, dhe kryeredaktor i Serisë së Shkencave të Edukimit dolën në qarkullim 48 numra të revistës.

Edhe pas daljes në pension është aktiv në punën studimore dhe atë kërkimore – shkencore. Ka botuar 6 punime për kontributet arsimore pedagogjike për disa figura të shquara të kësaj fushe si për: Prof. dr. Shefik Osmani, Prof. Palokë Berisha, një personalitet i shquar i arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi; Prof. dr. Refik Kadija, Profesor Emeritus, etj. Ka marrë pjesë në disa sesione shkencore, si dhe në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për 100- vjetorin e “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!