Kryeministri grek Aleksis Tsipras fillon neser një vizitë zyrtare historike në Shkup, i shoqëruar nga një delegacion i madh qeveritar e dhjetra biznesmenë të rëndësishëm. Kjo vizite kërkon të dëshmojë se tashmë janë hapur perspektiva të reja për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve.
Mbërritja të martën në Shkup e zotit Tsipras konsiderohet një vizitë historike, pasi është e para e një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut.
Aleksis Tsipras do të shoqërohet nga një delegacion që përfshin gati gjysmën e ministrave të qeverisë së tij, por edhe një numër i madh biznesmenësh.
“Ndërsa lista ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, mediat thonë se do të jenë 120 afaristë, mes të cilëve bosat e disa prej grupeve më të fuqishme të biznesit grek.
Sipas analistëve vendas, vizita synon të ndryshojë impaktin negativ që është krijuar në opinionin grek pas miratimit të marrëveshjes së Prespës.
Tsipras gjithashtu kërkon të dëshmojë se tashmë janë hapur perspektiva të reja për bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve”.
Tsipras e Zaev do të bëjnë deklarata të përbashkëta për shtyp, për herë të parë që nga qershori i kaluar, kur u miratua marrëveshja e Prespës.
Kryeministri grek do të takohet me kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, ndërsa nuk parashikohet të pritet nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov.
Gjatë qëndrimit në Shkup të kryeministrit grek, pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të rëndësishme.
Mes tyre, një në fushën e mbrojtjes, hapjen e një pike të re të kalimit kufitar dhe për aviacionin civil.
Gazetar ABC News, Greqi: Robert Goro