Rusia ka zgjeruar vazhdimisht ndikimin ushtarak të saj në të gjithë Afrikën, duke alarmuar zyrtarët perëndimorë me rritjen e shitjeve të armëve, marrëveshjet e sigurisë dhe programet e trajnimit për vendet e paqëndrueshme, raporton New York Times në një artikull kryesor i botuar ditën e sotme.
Në Republikën e Afrikës Qendrore, si Këshilltar i Sigurimit Kombëtar të Presidentit, është instaluar një rus. Kjo qeveri është duke shitur të drejtat minerare për arin dhe diamantet, ku një pjesë të vlerës së tyre e kanë angazhuar për trajnime dhe për të blerë armë nga Moska.
Rusia po kërkon të përqafojë veten në krahun jugor të NATO-s, duke ndihmuar një ish-gjeneral në luftën e Libisë, për kontrollin mbi qeverinë e tij dhe tregun e madh të naftës.
Presidenti i Sudanit, Omar Hassan al-Bashir, solli mercenarë rusë në Janar, për të ndihmuar në rritjen e sundimit të tij kundër protestave kombëtare. Dhe pranverën e kaluar, pesë vende Afrikane sub-Sahariane – Mali, Niger, Çad, Burkina Faso dhe Mauritania, kërkuan ndihmën e Moskës për trajnimin e ushtarëve të tyre, në luftën ndaj shtetit islam dhe Al Kaedën.
Rusia, e vendosur në Afrikë gjatë rivalitetit të dhunshëm të Lindjes dhe Perëndimit në “Luftën e Ftohtë”, u tërhoq kryesisht nga kontinenti pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Por në dy vitet e fundit, Moska ka rindërtuar marrëdhëniet me klientët e epokës sovjetike si, Mozambiku dhe Angola dhe ka krijuar lidhje të reja me vendet e tjera.
Presidenti rus Vladimir Putin do të organizojë një takim të nivelit të lartë midis Moskës dhe vendeve afrikane gjatë këtij viti.
Zgjerimi i ndikimit ushtarak të Moskës në kontinent reflekton vizionin më të gjerë të Putinit për rikthimin e Rusisë në lavdinë e tij të mëparshme. Por ajo gjithashtu ilustron strategjinë oportune të Rusisë për të nxjerrë përfitime logjistike dhe politike në Afrikë, kudo dhe kurdo që të jetë e mundur.
Ishte vrasja e tre gazetarëve rusë, nga sulmuesit e panjohur në Republikën e Afrikës Qendrore, një ish-koloni franceze vitin e kaluar, e cila tërhoqi vëmendjen, ndaj kthimit të Kremlinit në kontinent.
Gazetarët po hetonin aktivitetet e Grupit “Wagner”, një forcë ushtarake private, e themeluar nga një ish-oficer i inteligjencës ruse dhe i lidhur me një bashkëpunëtor të Putin. Rusia tha në një deklaratë vitin e kaluar se: “175 instruktorë – të besuar nga zyrtarët e Pentagonit dhe analistët perëndimorë të punësuar nga Grupi “Wagner”, kanë trajnuar më shumë se 1000 trupa të Republikës së Afrikës Qendrore. Vendi është zhytur në dhunë që nga viti 2012”.
Judd Devermont, Drejtor i Programit Afrikan në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington tha se:
“Moska dhe kontraktorët e saj ushtarakë privatë po armatosin disa nga qeveritë më të dobëta të rajonit dhe po mbështesin sundimtarët autokratik të kontinentit. Ky angazhim kërcënon të përkeqësojë zonat aktuale të konfliktit “.
Në fund të vitit të kaluar, Shtëpia e Bardhë përmirësoi politikat e saj ekonomike dhe të sigurisë drejt Afrikës, duke bërë plane për të rritur financimet e projekteve në kontinent. John J. Sullivan, zv/sekretari i shtetit paralajmëroi se:
“Rusia shpesh përdor mjete shtrënguese, të korruptuara dhe të fshehta në tentativat e saj për të ndikuar mbi shtetet sovrane, mbi sigurinë dhe partneritetin ekonomik”.
Nën administrimin e Trump, Pentagoni e ka zhvendosur fokusin, në përballimin e kërcënimeve globale, kryesisht nga Kina dhe Rusia, dhe ka marrë rol “pasiv” në luftën e organizatave terroriste.
John Bolton, Këshilltari i Sigurimit Kombëtar të Presidentit Trump, e përshkroi strategjinë e re në Afrikë si një “konkurencë të fuqishme” dhe kundërpeshë ndaj Kinës dhe Rusisë.
“Kremlini vazhdon të shesë armët dhe energjinë, në shkëmbim të votave në Kombet e Bashkuara, vota të cilat mbajnë forcat e fuqishme në pushtet, minojnë paqen dhe sigurinë e luftojnë kundër interesave në të mirë të popullit afrikan“, tha Bolton.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka një gjurmë relativisht të lehtë në të gjithë Afrikën.
Rreth 6000 trupa të Shteteve të Bashkuara dhe 1000 civilë ose kontraktorë të Departamentit të Mbrojtjes, punojnë në një sërë misionesh në të gjithë Afrikën, kryesisht në trajnime të ushtrive lokale.
“Rusia po kërkon baza më strategjike për trupat e saj, duke u përfshirë në portet libiane, në Detin Mesdhe dhe në qendrat e logjistikës detare, në Eritrea, Sudan e Detin e Kuq”, u theksua në një analizë nga Instituti për Studimin e Luftës, një organizatë kërkimore në Uashington.
Vitin e kaluar, Rusia nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim ushtarak me Guinenë, Burkina Faso, Burundi dhe Madagaskar. Po ashtu, qeveria e Malit ka kërkuar ndihmë nga Moska për të luftuar terrorizmin, pavarësisht mijëra trupave francezë dhe paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, të cilët janë të vendosura në vend.
Rusia po ballafaqohet me marrëveshjet e armatimeve në të gjithë Afrikën duke premtuar fleksibilitet, duke ndjekur një strategji, që analistët thonë se është më e suksesshme të cilat kanë pak alternativa, për të zhvilluar marrëveshje mbrojtjeje me partnerët e tjerë, sepse ato janë të izoluara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të perëndimit.
Egjipti, një aleat i bindur amerikan, gjithashtu po bëhet një konsumator solid i armëve ruse.
“Egjipti nënshkroi një marrëveshje në fund të vitit 2018 për 2 miliardë dollarë avionë ruse të llojit SU-35”, publikoi në muajin Mars, gazeta me qendër në Moskë, “Kommersant”.
“Rusia ka programe bashkëpunimi ushtarako-teknike me një numër vendesh afrikane dhe i ndihmon ato, të pajisin forcat ushtarake kombëtare me armatim modern, të gjitha këto ndërmarrje kryhen në përputhje me normat dhe rregullat ndërkombëtare të aplikueshme“, tha në një deklaratë ambasada ruse në Uashington.
Lidhjet midis Rusisë dhe Republikës së Afrikës Qendrore kanë tërhequr vëmendje të veçantë në Perëndim. Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak vitin e kaluar dhe mercenarët e Grupit Wagner filluan të shfaqen në Republikën e Afrikës Qendrore.
“Rusia ka forcuar ndikimin e saj, në rritjen e bashkëpunimit ushtarak, duke përfshirë donacionet e armëve, me të cilat ajo ka fituar terren në tregjet dhe të drejtat e nxjerrjes së mineraleve. Me investime minimale, Rusia shfrytëzon kontraktuesit ushtarakë privatë, siç është Grupi Wagner, dhe në këmbim merr influencë politike dhe ekonomike të dobishme për ta “, tha gjenerali Waldhauser në dëshminë e tij përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Shtëpinë e Bardhë.
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara dy vjet më parë vendosi sanksione ndaj kompanisë mercenare, e cila njihet edhe si PMC Wagner, duke e akuzuar atë për rekrutimin dhe dërgimin e ushtarëve për të luftuar përkrah separatistëve pro-rusë në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës. Rekrutë nga kjo kompani janë dërguar në Siri, ku rezultatet ishin katastrofike, pasi qindra prej tyre vdiqën, gjatë një luftimi me armë ndaj forcave amerikane, në shkurt të vitit 2018.
Dy javë më parë, zëvendësministri i jashtëm rus Mikhail Bogdanov diskutoi perspektivat për zgjerimin e bashkëpunimit me Presidentin Faustin-Archange Touadera të Republikës Qendrore të Afrikës. Ndihma në rritje do të përfshinte, “Trajnimin e Personelit Kombëtar dhe Forcimin e Sigurisë dhe Stabilitetit në këtë vend miqësor Afrikan“, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë të postuar në faqen e saj zyrtare.
Ky njoftim tërhoqi vëmendjen e autoriteteve franceze.
“Ne ndihemi shumë të shqetësuar nga ndikimi rus në rritje, në një vend si Republika Qendrore e Afrikës që ne e njohim mirë” u tha gazetarëve Florence Parly, Ministri i Forcave të Armatosura të Francës, në një vizitë të kohëve të fundit në Uashington.
“Rusia ka interesa të mëdha të naftës dhe gazit në Algjeri, Angola, Egjipt, Libi, Senegal, Afrikën e Jugut, Uganda dhe Nigeri”, sipas Pentagonit.
“Ata janë shumë aktivë dhe po përpiqen të fitojnë terren“, tha gjenerali Toni Thomas në një konferencë të sigurisë në Universitetin e Teksasit në Austin. Ai u tërhoq si Kreu i Komandës së Operacioneve Speciale të Pentagonit të premten e kaluar.
Burimi: New York Times
Shqipëroi: abcnews.al