Aqif Rakipi non grata nga SHBA, si përgjigjet Rama nga Berlini

schedule09:47 - 12 Prill, 2022

schedule 09:47 - 12 Prill, 2022

Kryeministri Edi Rama ka shmangur pyetjen për shpalljen non grata të ish deputetit Aqif Rakipi kur është pyetur gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Berlin ku ndodhet në kuadër të një vizite zyrtare, e fokusuar te integrimi në BE.

“Të vijmë deri në Berlin për të folur kandidatët e PS më duket e sforcuar kështu që kalojmë te pyetja tjetër”, tha Rama.

Pjesë nga biseda e Ramës me gazetarët:

Pyetje: Në zgjedhje latë jashtë zonës së sigurt 3 socialistë me kontribut, ndërkohë përfshitë një kandidat që s’ka kontribut në parti (Orlando Rakipi) babai i të cilit është non grata. A mendoni se keni marrë vendimin e duhur?

Rama: Të vijmë deri në Berlin për të folur kandidatët e PS më duket e sforcuar kështu që kalojmë te pyetja tjetër.

Dje DASH ka shpallur një listë tjetër me të padëshiruarit për të hyrë në SHBA, mes të cilëve është ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi. Sipas DASH, Rakipi është i përfshirë në krim të organizuar dhe përmes kësaj ka influencuar dhe në politikë. “Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, argumentohet nga DASH.

Duke përdorur këtë aktivitet dhe paranë, DASH thotë se Rakipi ka bërë emërime në poste kyçe në politikë. “Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”.

Aqif Rakipi ka qenë deputet deri në janar të 2018-ës, kur KQZ ia hoqi mandatin pasi nga një hetim i prokurorisë kishte rezultuar se ai nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit ndalimet nga policia në Itali. “Non grata” është shpallur dhe familja e tij. Djali i Aqif Rakipit, Ornaldo Rakipi është deputet i Parlamentit, i zgjedhur nga listat e PS-së në Tiranë. 28-vjecari ishte i renditur i 30-ti në listën e PS-së, megjithatë ia arriti të thyejë herësin, duke u bërë ndër emrat më të votuar të PS-së dhe duke lënë pas dhe politikanë më përvojë.

/abcnews.al