Mjekja nutricioniste Albana Daka, në rubrikën “Abc-ja e shëndetit”, ndau disa këshilla për ata që vuajnë nga gurët në veshka. Gurët formohen nga shkaqe të ndryshme dhe mund të krijohen në çdo pjesë të traktit urinar nga veshkat deri në fshikëzën e urinës.
Mjekja thotë se meshkujt preken më shumë dhe se një nga shkaqet më të zakonshme është nga mungesa e kalciumit. Në afat të gjatë, kristalet e krijuara zhvillohen dhe bëhen gurë në veshka. Dr. Albana shpjegoi se nëse ndodhin në mënyrë kronike mund të dëmtojë funksionin e veshkave.
“Kur kemi një histori gjenetike, i hasim dhe në mosha të reja por kryesisht mbi 50 vjeç. Përqindja më e madhe janë 60-65 vjeçar. Ndikon shumë dhe bashkëshoqërimi me sëmundje të tjera kryesisht ata që janë mbipeshë dhe obezë, me prani të sëmundjeve të zemrës apo osteoporozës te femrat.
Kur ka prani të gurëve te femrat kemi një korrelacion midis gurëve në veshka dhe osteoporozës. Duket paradoksale por mungesa e kalciumit çon në akumulimin e oksalatit të kalciumit.”, u shpreh Daka. Ajo sugjeroi disa ndryshime në stilin e jetës që mund të ndihmojnë në parandalimin e gurëve në veshka.
“Së pari, duhet të evitojmë mbipeshën dhe obezitetin. Pjesa më e madhe e personave që vuajnë nga gurët janë mbipeshë dhe obezë. Së dyti, janë personat e dehidruar. Personat që kanë histori familjare për sëmundje të tilla, duhet të konsumojnë deri në 12 gota me ujë në ditë, të shpërndarë gjatë gjithë ditës.
Duhet bërë rregull që të marrin një gotë ujë në mëngjes. Rekomandohet uji me limon sepse agrumet parandalojnë akumulimin e kristaleve. Duhet kufizuar kripa më pak se dy gramë në ditë. Jo vetëm me kripën që hedhim në ushqim por të minimizojmë të gjitha ushqimet e konservuara.
Duhet të kufizojmë dhe ushqimet që stimulojnë bashkimin e kristaleve si arrat, kikirikët me kripë, spinaqi dhe jeshilet e errëta sepse predispozojnë oksalatin. Duhet të minimizojmë proteinat shtazore: mishi i kuq jo më shumë se një herë në javë, përdorimi i mishit të pulës dhe peshkut të jetë në sasi të moderuara.
Duhen zëvendësuar proteinat shtazore me bishtajoret si bizelet, fasulet dhe thjerrëzat.”, tha mjekja. A është efektive birra në eliminimin e gurëve? Përpos besimit popullor, Dr. Albana tha se birra është një produkt i fermentuar dhe nëse pihet çdo ditë, mund të krijojë probleme me stomakun./abcnews.al