“Dick Marty po kërcënohet me jetë nga shërbimet serbe”, Pacolli reagon pas lajmeve nga Zvicra

schedule10:38 - 10 Prill, 2022

schedule 10:38 - 10 Prill, 2022

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se ish-prokurori i njohur zviceran, Dick Marty, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Pacolli shkruan se në rast se janë të vërteta raportimet nga Zvicra për kërcënim me jetë ndaj Martyt, atëherë ai duhet të tregojë “si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaqi sot është në paraburgim në Hagë”.

Postimi i plotë i Pacollit:

“Nëse është e vërtetë se Dik Marti po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur qe ai të tregoi se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaqi sot është në paraburgim në Hagë”.

Sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.

E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh, transmeton Gazeta Express.

Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.

Vetë Marty ka folur për këtë situatë.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai. /Express