Prej disa ditësh Rudina Hajdari është rikthyer në Shqipëri pas një pause nga politika mbas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. E ftuar në abcnews.al nga gazetari Ermal Vaka, Hajdari është pyetur për planet e saj tashmë që është rikthyer në vend. Ajo ka përmendur që arsyeja e rikthimit është kriza që ka zënë Partinë Demokratike muajt e fundit.
“Arsyeja e rikthimit tim në Shqipëri është për kriza që ka 8/9 muaj që ka zënë Partinë Demokratike. Një krizë e cila ka vite që akumulohet nga dështimet e njëpasnjëshme që vjen si pasojë e një lidershipi të dobët që nuk arriti të kurorëzohet me një fitore. Shqipëria ngeli me një opozitë goxha të dobët ndaj mendoj që shqiptarët kanë nevojë për një opozitë të shëndetshme për një parti demokratike e cila u krijua për të sjellë demokracinë në vend.”
Hajdari theksoi që dorëheqja e Bashës la një dritare të hapur për demokratët e përjashtuar ndër vite nga ai, një ndër to edhe ajo vetë. Rikthimi është për të dhënë kontributin e saj në rimëkëmbjen e PD-së dhe opozitës – deklaroi ajo.
“Tashmë që zoti Basha u dorëhoq ka hapësirë mjaftueshëm për shumë njerëz që të afrohen sidomos ato që janë përjashtuar njëjtë si unë. Në mënyrë kategorike nuk më pranuan që të rikthehesha në PD. Tashmë që zoti Basha u largua, e pashë si mundësi shumë të mirë që dyert i kisha të hapura edhe të rikthehesha në PD për të dhënë kontributin tim, duke bërë më të mirën për rimëkëmbjen e PD-së dhe opozitës.” /abcnews.al/