PËRGJIMET/ Dalin provat, si mercenarët rusë kryen masakra në Bucha

schedule11:37 - 7 Prill, 2022

schedule 11:37 - 7 Prill, 2022

Mizoritë barbare në Bucha ishin pjesë e një strategjie të qëllimshme të Kremlinit të kryer pjesërisht nga grupi i mercenarëve Wagner. Shërbimi i inteligjencës gjermane, BND, ka përgjuar mesazhet radiofonike nga forcat e Putinit që diskutojnë vrasjen brutale të civilëve në Bucha, sipas Daily Mail.

Mesazhet radiofonike korrespondonin me vrasjen e shumë civilëve që janë bërë publike tashmë. Në njërin prej mesazheve, një ushtar diskuton të qëllojë dikë nga biçikleta.

Rikujtojmë se në rrjetet sociale është shpërndarë gjerësisht fotoja e një civili të shtrirë pranë një biçiklete në periferi të Kievit. Një zëdhënës i qeverisë gjermane nuk pranoi të komentojë mbi raportin, ndërsa Rusia ka mohuar kryerjen e krimeve të luftës në Bucha.

Regjistrimet e përgjimeve tregojnë gjithashtu se Grupi Wagner ndodhej në qytet dhe luajti ‘një rol kyç’ në masakër, dhe se ka të ngjarë të ketë skena të ngjashme në vende të tjera të Ukrainës.

Ndërkohë, Rusia ka përfunduar tërheqjen e 24,000 trupave nga Kievi  dhe Chernihiv në përgatitje për një ofensivë të madhe në Donbas.  Mesazhet tregojnë se trupat diskutonin rregullisht për krimet e mundshme të luftës sikur të flisnin për jetën e tyre të përditshme.

BND u tha udhëheqësve gjermanë se kjo tregon se si vrasjet u cilësuan si diçka normale dhe se ishin pjesë e një strategjie të qëllimshme që synon të mbjellë frikë dhe terror në popullatën civile.

Gjithashtu po analizohen regjistrime të mëtejshme nga shefat e inteligjencës, por ende nuk është bërë e ditur se në cilat vende. Por ato tregojnë skena krimi të ngjashme me Bucha në qytete të tjera anembanë vendit, veçanërisht rreth Mariupolit, i cili është ende në sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!