Holanda: Djegia e mandateve e gabuar

schedule17:10 - 28 Mars, 2019

schedule 17:10 - 28 Mars, 2019

Holanda kritikon opozitën për gjegjen e mandateve. Ministri i Drejtësi deklaroi në Tiranë se Parlamenti është vendi ku zgjidhen problemet politike. Grapperhaus foli në Tiranë edhe për negociatat me Bashkimin Evropian.

Ministri i Drejtësisë Holandës ka kritikuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve. Ferdinand Grapperhaus gjatë vizitës në Tiranë u shpreh i shqetësuar për protestat e dhunshme që janë zhvilluar në Shqipëri kohët e fundit. Sipas tij dalja nga kuvendi nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur problemet.

Ferdinand Grapperhaus, ministri holandez i Drejtësisë: “Më vjen keq që opozita ka marrë vendimin t’i djegë mandatet dhe dalja nga Kuvendi nuk është mënyra për të zgjidhur problemet politike dhe shkon kundër parimeve demokratike. Partia ime nuk ka qenë e përfshire në qeveri  për 5 vite me radhë dhe na është dashur që ti ndiqnim zhvillimet nga jashtë më syrin kritik. Parlamenti është forumi ku  duhen trajtuar çështjet  kritike për vendimin dhe është baza  dhe themeli i çdo demokracie”. 

Sa i përket hapjes së negociatave Grapperhaus tha se qeveria holandeze është në pritje të raportit të majit të Komisionit Evropian.

 “Ne si qeveri do të diskutojmë dhe do te vendosim bashkë me Parlamentin në Holandë. Së pari nga të gjitha kontaktet unë e shoh që qeveria e Shqipërisë po punon për këtë ndërmarrje monumentale siç është reforma në drejtësi. Kjo tregon se qeveria e Shqipërisë është serioze për të arritur atë që ka thënë komisioni”.

Holanda është një nga tre vendet skeptike të Bashkimit Evropian që votoi shtyrjen e hapjes së negociatave me vendin tonë./abcnews.al