Në Mbretërinë e vogël të Bruneit, ka hyrë në fuqi dënimi me vdekje me anë të goditjes me gurë për homoseksualët dhe ata që kryejnë tradhti bashkëshortore. Ndërsa për ata që grabisin është parashikuar prerja e njërës këmbë apo njërës dorë.
Që nga data 3 prill e këtij viti, në Brunei, homoseksualët apo ata që kryejnë tradhti bashkëshortore rrezikojnë dënimin me vdekje me anë të goditjes me gurë. Shteti islamik ka vendosur sërish në fuqi këtë dënim. Sipas të përditshmes britanike Guardian, banorët e kësaj mbretërie të vogël në juglindje të Azisë do i nënshtrohen dhe një sërë ligjeve të tjera që përfshijnë prerjen e njërës këmbë, apo njërës dorë nëse kryejnë vjedhje
Brunei i cili vitet e fundit po aplikon një formë më konservatore të Islamit, që nga viti 2014 deklaroi synimin për të fuqizuar dënimin me vdekje, nëpërmjet urdhërit të sulltanit të Bruneit. Ky i fundit është një nga liderët më të pasur në botë me një pasuri personale rreth 20 miliardë dollarë. Ai drejton vendin që nga viti 1967.
Por ligjet në fjalë do të aplikohen vetëm për myslimanët që përbëjnë 2/3 e popullsisë në vend. Në Brunei prej vitesh është i ndaluar alkooli dhe parashikohen gjoba dhe dënime për ata që nuk marrin pjesë në lutjen e së premtes.
Menjëherë pas vendimit Amnesty International bëri apel që Brunei të anulojë këto ligje që u cilësuan si shumë të gabuara. /abcnews.al