Është një histori që ngjan e vjedhur nga kinematografia. Por protagonistët e saj janë realë, i kthyen rrugët e Tiranës si skena të ndjekjes me automjete super të shpejta, ku në njërën prej tyre një i ri lutej për ndihmë mbasi ia morën shokun përpara syve. Makinat e policisë xhironin me shpejtësi nëpër rrugicat e kryeqytetit pa mundur të zbulonin gjurmët e rrëmbyesve që shfrytëzuan momentin dhe dobësinë e pengut, i cili po shkonte një vizitë në spital dhe aty e futën me forcë në makinën e tyre . Paralajmërimi ndaj tij ishte vetëm një: kthe borxhin prej 20 mijë eurosh.
Gazetasi.al u vu në dijeni për ngjarjen nga oficerë të policisë numër 3 që po hetojnë në mënyrë të vrullshme një rrëmbim i cili fatmirësisht u mbyll vetëm me mbajtjen e pengut vetëm pak orë dhe që më pas e lëshuan në një rrugë të pandricuar, meqënëse i vendosën afat por edhe kushte për kthimin e parave.
I riu sapo u la I lirë, u afrua dhe denoncoi në komisariatin më të afërt teksa shoku i tij ndërkohë e kishte ngritur në këmbë policinë e Tiranës. Më pas të gjithë emrat dhe të dyshuarit u shoqëruan në polici bëjnë me dije burimet Gazetasi.al për të marrë një dëshmi më të qartë dhe për të kuptuar se përse pengu dhe pengmarrja, një grua nga miq u kthyen në armiq. Por jo zyrtarisht policia i thotë Gazetasi.al se strumbullari i kësaj ngjarjeje është pengu me inicialet A.S. i cili shfrytëzoi miqësinë me një financiare dhe zemër gjerësinë e saj duke i kërkuar borxhe për të zgjidhur problemet. Më pas ai nuk ja ktheu më dhe ajo kërkoi ndihmën e të fejuarit dhe shokëve të tij, që së bashku me të morën pjesë në rrëmbimin që nisi pranë Spitalit të Traumës dhe u mbyll në një rrugicë dytësore. Burimet i tregojnë gazetës “Si” se 33 vjeçari A.S duke ju ankuar mikeshës së tij se ishte prekur nga kanceri dhe kishte nevojë për para që të kurohej arriti t’i merrte asaj 20 mijë euro në këste të ndryshme. Por teksa këtë version e tregon financierja e dyshuar dhe e angazhuar në rrëmbim, i riu tregon se ajo nuk I kishte llogaritur mirë borxhet dhe se kërkonte më tepër se sa kishte dhënë
“ E dëgjoja që fliste me persona të ndryshëm mikeshën time E. dhe përmendte shuma parash të mëdha. Thoshte në telefon do ti jap unë lekët , njërit i thoshte 3 mijë euro tjetrit 5 mijë euro. Nga kjo krijova bindjen se E. ishte në kushte të mira ekonomike. E pyeta E. se me ëfarë merrej që kishte aq para dhe ma preu – është puna ime dhe s’ka c’të duhet në këtë lidhje shoqërore që kemi”.
Në krye të tetë muajve miqësi 33 vjeçari ka guxuar dhe ka kërkuar borxh. “Më duheshin që të investoja në biznesin tim privat. I kërkova 20 mijë euro dhe nisa tja shlyej me këste. Por nuk pata mundësi t’ja jap të gjitha. Por E. më takoi dhe kërkoi 20 mijë euro kur dhe pak kishin mbetur pa u shlyer. Që mos të kisha konflikte me të pranova që do I jepja 20 mijë euro megjithëse ja kisha shlyer pjesë pjesë duke I thënë se ja njihja borxhin dhe se do ja shlyeja në këste”
Financierja ka këmbëngulur dhe të dy e kanë firmosur këtë deklaratë përpara një notereje. Pa kaluar shumë ditë 33 vjeçari është rrëmbyer.
‘Po shkoja me makinën e shokut dhe me shokun në spitalin e traumës, mbasi aty do takoja një mikeshë për të marrë një recetë. Dola nga makina dhe do ecja nja 15 metra mbasi makina nuk lëvizte dot përtej një si supërmarket. Ndërsa shoku im po kthente makinën më ndaloi një makinë tip Fiat tek këmbët”’
Denoncuesi sipas një burimi shumë të sigurt policor të gazetës “Si” tregon se prej andej zbritën tre persona që nuk i njihte. Njëri prej tyre mbante në dorë një shkop bejsbolli.
“Në këtë moment dy më kapën nga krahët dhe njëri më qëlloi me grusht në bark. Më morën kundër dëshirës sime dhe më futën me forcë në automjet. Kur më futën në makinë pashë miken time E. , e cila nuk ka folur fare. Tre personat e tjerë filluan t’më godasin me grushte brenda makinës. Drejtuesi I mjetit tha- silli 20 mijë eurot se do të zhduk fare, njerëzit e mi do të ruajnë dhe më ke borxh jetën”.
Secili nga rrëmbyesit me përjashtim të femrës kanë përsëritur; na sill urgjent lekët.
I riu i thotë policisë se për t’i sprapsur rrëmbyesit ka paralajmëruar: Jam mik i Nehat Kullës ( i cili ka ndërrruar jetë dhe njihet si një nga të fortët e Tiranës).
Pas kësaj fraze rrëmbyesit sipas denoncuesit dhe burimeve të gazetës “Si” që e citojnë atë janë stepur disi. “Mu përgjigjën do ikësh por vetëm me një kusht, shko merr makinën që ke tënden dhe ma sill mua dhe bashkë jemi shlyer”. Bëhet me dije se rrëmbyesit e zbritën pengun në afërsi të urës së Babrroit dhe menjëherë pas kësaj ai është drejtuar për në komisariat.
Ndërkohë shoku i tij që ja rrëmbyen mikun përpara syve kishte dhënë alarmin në polici e cila nuk po e gjente kurrkund. Ai tregon: “Kur e mbështetën A.S në mur dhe po i bërtisnin dhe po e godisnin, njëri prej tyre me një shkop në dorë dhe një thikë mu drejtua mua; mos bëj asnjë veprim”. I riu nuk ka reaguar kujton ai nga frika dhe kërcënimi për jetën dhe teksa është larguar me automjet, kur ka kthyer kokën pas ka parë se si shokun e tij e hipën me dhunë në makinë.
I frikësuar ai kujton se telefonoi policinë në Sos. “Më është përgjigjur policia, u kam thënë më kanë marrë shokun, ata kanë ardhur me shpejtësi dhe nisëm kërkimet, nisën nga kamerat e sigurisë dhe kur po kërkonim ka telefonuar shoku im dhe më tregoi se e lëshuan”. Policia i thotë gazetës “Si” se i ka identifikuar të gjithë të dyshuarit dhe mes tyre ka marrë në pyetje edhe të renë, E.
Ajo tregon se u mashtrua nga shoku i saj që i dha borxh, dhe kur nuk po gjente zgjidhje ja ka rrëfyer problemin të fejuarit. “Kur ne i thamë na jep borxhin dhe po ecnim me makinë, ai tha që më lëshoni dhe se mami im do ju japë lekët që ju detyrohem” deklaron e reja e cila së bashku me disa persona të tjerë do të vihet nën hetim nga policia për heqje të paligjshme të lirisë.
“E njihja dhe njëherë më tha që ishte sëmurë, pastaj mbaj mend që u arrestua një vit më parë për testet covid të falsifikuara dhe mbaj mend që gjykata e liroi nën arrest shtëpiak. A. më kërkoi para borxh për të dalë nga arresti i shtëpisë dhe më erdhi keq dhe ja dhashë. Më pas më kërkoi prapë lekë borxh rreth 11 mijë euro se më premtoi që do më rregullonte makinën, por nuk e rregulloi” dëshmon e reja sipas burimeve të gazetës “Si”