Zgjedhjet në Serbi, në Luginë dalin shumë pak për të votuar

schedule16:33 - 3 Prill, 2022

schedule 16:33 - 3 Prill, 2022

Në komunat me shumicë shqiptare në Serbi nuk ka pasur shumë interesim për të votuar deri në orën 13:00 dhe 14:00, krahasuar me rajonet e tjera të shtetit serb.

Në Serbi, sot po mbahen zgjedhjet e rregullta presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në 14 qytete.

Deri në orën 14:00, sipas të dhënave që ka marrë Gazeta Express, në Bujanoc kanë dalë për të votuar 14 për qind e totalit të qytetarëve me të drejtë vote.

Në komunën me shumicë shqiptare nuk është raportuar ndonjë parregullësi.

Sipas një raportimit të gazetës serbe “Danas”, ku citohet Albin Mehmeti nga Komisioni Lokal Zgjedhor, në Preshevë, deri në orën 13:00, kanë votuar 4.4 për qind.

Të drejtë vote në Preshevë kanë 42.203 qytetarë.

Të dhënat e rajoneve të tjera serbe tregojnë se përqinja e daljes në zgjedhje deri në orën 14:00 sillet te 30 për qindëshi. Në Beograd, deri në këtë orë, kanë dalë për të votuar mbi 28 për qind e atyre që kanë të drejtë vote.

Më herët, “Danas” ka raportuar se deri më orën 11:00, mbi 2000 qytetarë të rajonit të Anamoravës në Kosovë kanë kaluar kufirin për të votuar në Bujanoc.

Ndërkaq, burimet nga Policia e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se deri në orën 13:00, rreth 11 mijë qytetarë e kanë kaluar kufirin Kosovë-Serbi.

Dhjetëra autobusë për Serbi janë nisur nga komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Serbia nuk ka ndonjë mënyrë që ua mundëson shtetasve jashtë saj që të votojnë, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që të organizohen zgjedhjet e shtetit fqinj në territorin e Kosovës. /Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!