Deklarata të përsëritura dhe qëndrime të njohura. Është ky vlerësimi i përgjithshëm për debatin televiziv mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe liderit të opozitës në vend Miskovski.
Në Shkup, kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski, në një përballje në televizionin Kanal 5 praktikisht kanë konfirmuar hendekun e qëndrimeve të të dyja blloqeve politike lidhur me çështjet kryesore të vendit. Shefi opozitës ka përsëritur qëndrimin negativ ndaj Marrëveshjes së Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit të vendit, ndërkohë që kryeministri ka ritheksuar se mbështet fuqimisht punën e Prokurorisë së Posaçme Publike për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mollë sherri ishin dallimet lidhur me fatin e Prokurorisë së Posaçme Publike që po merret me zbardhjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mazhoranca propozon që ky institucion të bëhet pjesë e Prokurorisë Publike, por me ingerenca dhe financa të caktuara, kurse opozita mbronë qëndrimin se ky dikaster nuk duhet të ketë buxhet të vetin.
Zoran Zaev, Kryeministër i RMV: “Çështja është nëse do të bllokohet sërish vendi ynë dhe do të humbas fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për llogari të mbrojtjes së kriminelëve!”
Hristijan Mickoski, Kryetari i VMRO – DPMNE-së: “Ne këtë problem e shikojmë në mënyrë thelbore. Nuk e shikojmë si numër. Ajo që bëni ju është sipas parimit ‘merre ose lëre’. Ky parim është i pandershëm ndaj qytetarëve që dhanë votën e tyre për opozitën si dhe për ata që dhanë votën për pozitën”.
Karshi kësaj, Zaev tha se pavarësisht qëndrimit të VMRO-DPMNE-së është i bindur se ka për të siguruar shumicën e dy të tretave për miratimin e Propozim-ligjit për Prokurorinë Publike. Një tjetër çështje ishte nëse opozita e sotme VMRO-DPMNE nesër vjen në pushtet a ka për ta njohur Marrëveshjen e Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit euro-atlantik të vendit, tash me emër të ri – Republika e Maqedonisë së Veriut. Lideri i VMRO-së, Mickoski me përgjigje jo gjithaq të prerë:
Hristijan Mickoski, Kryetari i VMRO – DPMNE-së: “Do të punojmë që të korrigjojmë gjithë pasojën që është rezultat i kësaj marrëveshjeje dhe këtë kurrë, kurrë nuk do të rreshtim ta bëjmë.”
Zoran Zaev, Kryeministër i RMV: “Fituam gjithçka që deshën paraardhësit tanë, baballarët e gjyshërit! Dhe kjo është arritja. Këta nuk guxojnë të pranonojnë, të bëjnë hapin përpara e të ndërtojnë qëndrim, për shkak se nuk thotë nëse ka për ta anuluar ose jo Marrëveshjen”.
Sipas analistëve, megjithëse i shitur si ‘duel i dhjetëvjeçarit’, përballja dyorëshe e kryeministrit Zaev dhe shefit të opozitës maqedonase Mickoski, veç vullentit të ballafaqimit, nuk solli ndonjë cilësi e as sinjal për uljen e tensioneve dhe të retorikës tashmë të njohur të cilën shumëkush e vë në funksion të fushatës parazgjedhore për Presidencialet e 21 prillit. /abcnews.al