20 studentë nisin praktikën e punës në Bashkinë e Tiranës

schedule12:49 - 27 Mars, 2019

schedule 12:49 - 27 Mars, 2019

20 studentë do të nisin praktikën e punës në Bashkinë e Tiranës. Gjatë takimit me ta kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Rektorëve të Universiteteve iu është lënë kohë deri në fund të muajit për të përgatitur Kartën e Studentit. Nëse nuk do ta përgatisin atë do ta prodhojë bashkia dhe Ministria e Arsimit.

Nëse Universitetet nuk do ta kenë gati kartën e studentit deri në fund të muajit kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj thotë se këtë kërkesë të studentëve do ta përmbushin bashkia dhe Ministria e Arsimit.

 “U kemi lënë afat deri në fund të muajit rektorateve që, sipas ligjit të ri, duhet të bënin Kartën e Studentit. Me privilegjet vijnë edhe përgjegjësitë. Pra, me të qenit rektor dhe dekan, vjen edhe përgjegjësia t’i bësh ato detyra. Nëse nuk i bëjnë deri në fund të muajit, kemi marrë masat që Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të jetë e para që bën Kartën Studentore Bashkiake, ndërkohë që bashkia, Këshilli Bashkiak tashmë i ka marrë vendimet për 40 shërbime, që gjithsesi edhe sot ofrohen me kosto më të ulët për studentët”.

Studentet sipas Kryetarit të Bashkisë do të mund të përfitojnë me çmim të reduktuara edhe shërbime që ofrohen nga privati.

 “Karta e re studentore që do të emetohet në Tiranë përpara kësaj vere, do të mundësojë një bashkëpunim edhe me privatin, pra përveç 40 shërbimeve që bashkia i ofron të reduktuara, edhe privatët mund të futen në këtë bashkëpunim, kur vjen puna tek dyqanet, tek shpenzimet”.

Kryetari i bashkisë deklaratat i bëri në takimin që zhvilloi me 20 praktikantët e përzgjedhur për të vijuar praktikat e punës në Bashki. Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, studentëve dhe të sapodiplomuarve u ofrohet mundësia që të fitojnë një eksperiencë të parë pune 3 mujore në institucionin e Bashkisë së Tiranës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!