Alqi Bllako dorëzon mandatin, del letra drejtuar Kuvendit: Jam në dispozicion të drejtësisë

schedule16:05 - 30 Mars, 2022

schedule 16:05 - 30 Mars, 2022

Alqi Bllako ka dorëzuar mandatin e deputetit pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e tij. Gazetarja Erneta Shevroja raporton se në Kuvend ka mbërritur letra e deputetit socialist, i cili heq dorë nga mandati i tij, për t’u përballur kështu me drejtësinë pa imunitet.

Bllako nuk është paraqitur fizikisht në ambientet e Kuvendit dhe letrën e ka dorëzuar me postë. Në këtë mënyrë mbledhja e Këshillit të Mandateve, që do të vendoste për mandatin e deputetit sot në orën 18:00 është anuluar.

Në letrën e tij drejtuar Kuvendit, deputeti beson se do t’i provohet pafajësia dhe ndershmëria, ndërsa thotë se do të vihet në dispozicion të plotë të drejtësisë.

“Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në letrën e deputetit socialist.

Një ditë më parë ai njoftoi se do ta linte mandatin për t’u përballur me ligjin si qytetar i thjeshtë.

SPAK i nisi Kuvendit një letër, ku kërkonte arrestimin e deputetit socialist. Alqi Bllako akuzohet si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, pasi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Hetimet ndaj Alqi Bllakos janë regjistruar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Sakaq, GJKKO ka dhënë masat e sigurisë për 9 persona si të përfshirë, ndërsa ka nisur ekzekutimi i tyre. Në burg për inceneratorët ndodhet prej javësh, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!