Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton me rebelët që kanë nën kontroll kryeqytetin e Jemenit, të mërkurën kanë nisur një armëpushim të njëanshëm, pavarësisht se rebelët kanë refuzuar propozimin për armëpushim.
Koalicioni propozoi që ndërprerja e luftimeve të nisë nga ora 06:00 e së mërkurës para Muajit të Ramazanit. Disa përpjekje të ngjashme në të kaluarën kanë dështuar dhe ende nuk ka konfirmim të pavarur nëse armiqësitë ndërmjet forcave të koalicionit të udhëhequr nga sauditët dhe rebelëve Huthi janë ndërprerë.
Për armëpushimin u njoftua në orët e vona të së martës dhe menjëherë u ngritën dyshime sepse rebelët Huthi – që mbështeten nga Irani – kanë refuzuar që të marrin pjesë në samitin për luftën në Arabinë Saudite, samit që u thirr nga Këshilli për Bashkëpunim i shteteve të Gjirit. Huthit thanë se nuk do të marrin pjesë në këtë ngjarje, pasi samiti mbahet në një tokë armike.
Zyrtari i rebelëve Huthi, Mohammed al-Bukaiti, refuzoi ofertën për mbylljen e aeroportit në Sanaa dhe për kufizimet në portet e Jemenit nga koalicioni i sauditëve.
“Nëse bllokada nuk hiqet, deklarimi i koalicionit se do të ndalë operacionet e tij ushtarake nuk do të ketë kuptim sepse jemenasit do të vuajnë më shumë si rezultat i bllokadës sesa nga vetë lufta”, tha ai përmes një postimi në Twitter.
Kombet e Bashkuara dhe shtetet e tjera kanë kërkuar që të dyja palët të arrijnë një armëpushim për Ramazan, që do të nisë gjatë kësaj fundjave.
Këshilli për Bashkëpunim i shteteve të Gjirit – ku bëjnë pjesë Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – nisi bisedimet të martën në Riad. Ky samit pritet të vazhdojë deri më 7 prill.
Lufta në Jemen ka nisur në shtator të vitit 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit, Sanaa. Ata më pas detyruan që të largohej në ekzil Qeveria e presidentit, Abed Rabbo Mansour Hadi, që ishte zgjedhur më 2012.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, hyn në luftë në mars të vitit 2015, duke tentuar që ta rikthejnë në pushtet Qeverinë e Abed Rabbo Mansour Hadi. Por, lufta vazhdoi duke e çuar Jemenin në prag të urisë.
Mbi 150,000 persona janë vrarë në këtë luftë. Në këtë shifër përfshihen edhe luftëtarët edhe civilët dhe sipas të dhënave të fundit, numri i civilëve të vrarë në konfliktin në Jemen ka arritur në 14,500./REL