Chernihiv është pa energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm për më shumë se dy javë. Mëgjithëse të bllokuar në qytetin e rrethuar banorët janë të bashkuar në luftën e tyre për t’i mbijetuar pushtimit rus.
Qyteti verior ka qenë nën sulm që në ditët e para të pushtimit për shkak të vendndodhjes së tij strategjike në rrugën nga kufiri me Bjellorusinë në kryeqytetin Kiev. Javën e fundit, Rusia shkatërroi urat, duke prerë rrugën e fundit për civilët për të ikur, ose për të sjellë ushqim dhe ilaçe.
Duke folur për Sky News, vullnetarja Kseniia Chernoskutova tha: “Furnizime humanitare nuk mund të marrim. Karburant nuk mund të marrim, gjë që e bën jetën tonë jo shumë të mirë me siguri.
“Dhe përkundër faktit se lufta është këtu, njerëzit duhet të hanë diçka, të pinë diçka. Ata duhet të kenë vende si strehimore për të qëndruar gjatë goditjeve me raketa. Pra, ne po ofrojmë këto vende.”
“Në strehimoret tona kemi njerëz që humbën shtëpitë e tyre sepse u shkatërruan nga sulmet me raketa dhe granatimet dhe ne po u japim atyre këtë vend për të qëndruar. Kemi personat me aftësi të kufizuara, të moshuar që nuk mund të ecin vetë dhe duhet të kujdesemi për ta. Dikush duhet të kujdeset për ta”.
Kryetari i bashkisë së qytetit Vladyslav Atroshenko tha se forcat ruse kanë bombarduar zonat e banuara dhe po shkatërrojnë qëllimisht infrastrukturën civile duke përfshirë shkollat, kopshtet dhe kishat.
Më shumë se gjysma e 280,000 banorëve të qytetit tashmë janë larguar dhe qindra që kanë qëndruar janë vrarë. Pushtimi ka përzënë më shumë se 10 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, pothuajse një e katërta e popullsisë së Ukrainës. Më shumë se 3.7 milionë janë larguar nga vendi, sipas Kombeve të Bashkuara. Mijëra civilë besohet se kanë vdekur. /abcnews.al