Presidenti Donald Trump ka anuluar papritur sanksionet e fundit të vendosura nga administrata e tij ndaj Koresë së Veriut. Në njoftimin e saj, Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar motivin e kësaj lëvizjeje të kreut të shtetit, por ka thënë vetëm se Trump ka simpati për liderin Kim Jong Un.
Presidenti Donald Trump ka deklaruar të premten se ka urdhëruar tërheqjen e një pakete sanksionesh të vendosura së fundmi ndaj Koresë së Veriut.
“Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sot vendosjen e sanksioneve shtesë krahas atyre ekzistuese ndaj Koresë së Veriut, por po sot unë kam urdhëruar tërheqjen e tyre”, ka deklaruar Trump në Twitter.
Ende nuk është e qartë se cilave sanksione Trump i është referuar, edhe pse vetëm të enjten Shtetet e Bashkuara futën në listën e zezë dy kompani transporti kineze që kishin ndihmuar Penianin t’i shpëtonte penalizimeve të vendosura për shkak të programit bërthamor.
As zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders nuk ka saktësuar llojin e sanksioneve, por ka deklaruar vetëm se “presidenti Trump e pëlqen liderin Kim Jong Un dhe mendon se sanksionet nuk janë të nevojshme”.
Masat penalizuese ndaj kompanive kineze ishin të parat që nga samiti i dytë SHBA-Kore e Veriut i mbajtur muajin e kaluar. Vetëm disa orë pas njoftimit të sanksioneve, Peniani tërhoqi personelin nga një zyrë ndërlidhëse me Jugun, një lëvizje që shënon një kthim prapa në raportet me Seulin. Zyra në fjalë ishte ngritur në qytetin kufitar Kaesong, pas samitit historik mes liderin Kim Jong Un dhe presidentit të Jugut Mun Ja In vitin e kaluar./abcnews.al