Zlatan Ibrahimovic nuk njeh moshë dhe kjo tashmë dihet, me sulmuesin suedez që vazhdon të luajë futboll edhe pse tani është në moshën40-vjeçare.
Mosha për të është thjeshtë një numër dhe siç duket suedezi nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli i luajtur, ndërsa pritet që të rinovojë kontratën me Milanin edhe për një sezon tjetër.
Në një intervistë të dhënë për UEFA-n, sulmuesi suedez ka theksuar se do largohet nga futbolli në momentin që do të ketë një lojtarë tjetër më të mire se vetja.
“Dua të luaj sa më shumë të mundem, nuk dua që kur të tërhiqem të pendohem pse u largova. E vërteta është se do të më shihni në fushë deri në momentin kur të shoh se dikush tjetër është më i mirë se unë, ndaj do të vazhdoj të luaj ende. E ardhmja mbetet për t’u shkruar, unë nuk bëj plane dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë.
Futbollistët zgjohen, shkojnë në stërvitje, ruajnë regjimin, stërviten dhe pushojnë. E bëjnë këtë për 20 vite me radhë dhe në këmbim marrin adrenalinë, ndaj kur tërhiqesh nis edhe të mungon një rutinë e tillë. Më pas duhet ta fillosh nga zero dhe të gjesh diçka tjetër për t’u angazhuar”, u shpreh Ibra.