Zv/ministri i Brendshëm: Mbi 10 të shoqëruar nga protesta

schedule16:19 - 21 Mars, 2019

schedule 16:19 - 21 Mars, 2019

Mbi 10 persona janë shoqëruar nga policia pas protestës së të enjtes para parlamentit. Ishte zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i cili e pohoi këtë në ABC News.

“Mbi 10 të shoqëruar të cilët po verifikohen, në varësi të provave. Dikush mund të shoqërohet dhe lirohet. Dikush nëse ka prova që është përfshirë në akte të dhunshëm vijohet më tej përmes referimit penal”, tha Lamallari.

Lamallari deklaroi se policia nuk e ka mohuar asnjëherë shoqërimin e protestuesve.

“Nuk ka mohuar. As në ditët e shkuara nuk është mohuar. Është procedurë standarde”, tha Lamallari.

Ndërkohë, ish-deputetët e opozitës kanë deklaruar para mediave se janë shoqëruar 14 protestues. Ata kërkuan që të futen në ambientet e Policisë së kryeqytetit, por kanë janë lejuar.

Për sa i përket efektivë të lënduar, Lamallari tha se në protestën e sotme nuk ka pasur dëmtime serioze.

“Mund të kenë qenë nga fërkimet fizike. Fatmirësisht nuk ka dëmtime serioze, për ditën e sotme, ashtu siç fatkeqësisht ka pasur në protestat e tjera”, u shpreh ai.

Njëkohësisht, zv/ministri i Brendshëm sqaroi se gazi lotsjellës është përdorur në protesta ashtu siç e ka parashikuar ligji.

“Gazi është përdorur në momentin kur parashikohet nga ligji, kur kalohet distanca që parashikohet, ka përplasje fizike, etj. Ka një peron që autorizon dhe përdorimin e gazit lotsjellës”, tha Lamallari.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!