Xhejms Harden luajti një tjetër ndeshje të madhe në basketbollin amerikan, por skuadra e tij humbi. Pavarësisht nga niveli i kapitenit, Hjustoni nuk është ai i vitit të kaluar.
Vitin e kaluar Hjustoni cilësohej si skuadra më e mirë e NBA-së (me bilanc edhe mbi Golden Stejtit). Ajo kishte në udhëheqje një yll të madh si Xhejms Hardeni.
Sot, Hardeni cilësohet si një yll i madh, me një skuadër tepër të zvogëluar në vlera. Basketbollisti më i mirë i kampionatit, për këtë sezon, nuk po arrin ta mbajë ekipin nga Teksasi në vendet e para të renditjes, pavarësisht “heroizmave” që po i bën çdo dy-tri ditë.
Ai shënoi 57 pikë në ndeshjen e fundit, atë ndaj Memfisit, por Hjustoni sërish doli i mundur nga parketi. Vendasit fituan 126-125 pas kohës shtesë, ndërsa Harden ishte i shkëlqyer me 7 topa në tabela, 8 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. I fortë në sulm e në mbrojtje!
Një ditë më parë, ai u bë i pari lojtar në historinë e NBA-së që arrin të shënojë të paktën 30 pikë ndaj secilës skuadër të ligës, në një sezon të vetëm. As Çembërleni, Xhordani apo Lebron Xhejmsi nuk ia kishin dalë.
Harden ka shënuar deri tani 2 399 pikë, një nga të paktët në këtë nivel gjatë një edicioni, duke pasur mesataren 36.1 pikë për ndeshje. Gjithsesi, Hjustoni mbetet në vend të tretë në Perëndim, pas Golden Stejtit e Denverit.
Do të duhet jo vetëm forma e të mbiquajturit “Mjekra”, por e gjithë protagonistëve kryesorë, që teksanët të pretendojnë titullin në Perëndim dhe pse jo, titullin në NBA. Vjet u mundën në finalen e Konferencës nga Golden Stejti, por shpresa vdes e fundit./abcnews.al