Rama për mediat zvicerane: Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, diçka e natyrshme

schedule16:31 - 21 Mars, 2019

schedule 16:31 - 21 Mars, 2019

Në një intervistë për mediat zvicerane kryeministri Edi Rama ka folur ndër të tjera dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Rama shprehet se diçka e tillë do të ishte e natyrshme

E përditshmja zvicerane, Neue Zuercher Zeitung në një shkrim të publikuar për situatën aktuale në rajon, citon dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili ka folur ndër të tjera dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar si diçka të natyrshme. Autori i shkrimit Andreas Reih thekson se nuk ka asnjë ditë në Ballkanin Perëndimor ku politikanët të mos komentojnë një shkëmbim të mundshëm territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij kjo mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do i jepte fund konfliktit të gjatë dhjetëvjeçar. Për vite të tëra, Perëndimi nuk i pranoi kategorikisht ndryshimet kufitare në Ballkan. Megjithatë, për disa muaj, gjithnjë e më shumë vende të BE dhe Shtetet e Bashkuara duket se po largohen nga ky qëndrim: gjëja kryesore është që Beogradi dhe Prishtina të bien dakord për një marrëveshje.

Gazetari thekson se edhe kryeministri Edi Rama është gjithashtu i hapur për një ndryshim të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një gjë e natyrshme”, thotë ai në një intervistë për NZZ. Sipas tij, edhe kufijtë e Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë ripërcaktuar në vitet e fundit.

Në të njëjtën kohë, Rama thekson se Shqipëria nuk është e përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

‘Se si duhet të jetë marrëveshja, këtë duhet ta vendosin Kosova dhe Serbia’.

Por si mund të jetë kufiri i ri? Rama këtu bën një kufizim: “Kufijtë etnikë duhet të shmangen në mënyrë absolute”. Megjithatë, ai nuk e përcakton më tej se çfarë quan një ndryshim natyral të kufirit. Për një gjë është i sigurt: Shqipëria do mbështesë çdo marrëveshje që gëzon mbështetjen e BE dhe SHBA.

Rama flet edhe për mundësinë që në rajon të krijohet një mini-Shengen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai thotë se ka dëgjuar diçka për një projekt të tillë dhe shton se e mirëpret./abcnews.al