Për analistin Henri Çili, dy partitë më të mëdha në Shqipëri, PD dhe PS, janë mbi nivelin e Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Provokacija”, Çili tha gjithashtu se këto parti kanë sakrifikuar shumë për vendin.
“Unë jam totalisht establishmentin. Çdo zgjidhje kundër establishmentit mua më shtin të dridhurat. Sistemi bipartizan apo dy partian është interes publik dhe interes kombëtar. Pa dy partitë e mëdha ne shpërbëhemi si shoqëri. Imagjinoni që marrëveshjet ndërkombëtare t’i ketë në dorë një parti e vogël, ose që vota të varet nga këto. Unë mendoj që PD dhe PS janë mbi nivelin e Shqipërisë. Shqipëria është më poshtë se PD dhe PS. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë sakrifikuar shumë për Shqipërinë. Dhe e fundit le t’i japim sistemit bipartizan, instrumentet e tij. Instrumenti kryesor i tij është sistemi mazhoritar. I pastër, pa kompensime, pa forma të tilla që zhvillojmë një luftë të vërtetë politike dhe të stabilizojmë spektrin politike. Establishmenti është i keq, anti-establishmenti është edhe më i keq”, tha ai.
Sipas Çilit, PD dhe PS që në fillimin e tyre janë krijuar mbi nivelin e shoqërisë. Për të profesorët, gazetarët dhe intelektualët në Shqipëri janë nën nivelin e politikanëve.
Henri Çili: PD dhe PS që nga fillimi kanë qenë krijime që janë krijuar mbi nivelin e shoqërisë dhe kanë qenë relativisht të përgjegjshme. Ne kemi elitën politike më të mirë të mundshme. Shikoj profesorët në Shqipëri, shikoj gazetarët, shikoj intelektualët, janë nën nivelin e politikanëve. Kush është këtu më i zoti se Berisha? Kush është këtu më i zoti se Rama?
Mustafa Nano: Si e mat zotësinë?
Henri Çili: Nuk ka rëndësi, në polivalencën e vet. Nuk e kam në tërësi. Për shembull e di ti që forcat politike, qeveritë, kabinetet kanë rekrutuar forcat emë të mira universitare që nga vitet ‘90. E di ti që niveli jonë profesional i ministrave ka qenë absolutisht nga njerëzit më të zgjedhur? Në këtë sens për mua PS dhe PD janë mbi nivelin e Shqipërisë. Çdo gjë tjetër në Shqipëri janë më poshtë./abcnews.al

