Dy ditë pas protestave që shënuan akte të paprecedenta dhune në Paris, autoritetet franceze kanë shkarkuar shefin e policisë së kryeqytetit dhe kanë paralajmëruar kufizime të rrepta për protestat e “Jelekëve të verdhë”.
Qeveria franceze ka vendosur të shkarkojë shefin e policisë së Parisit dhe të ndalojë tubimet në disa zona të kryeqytetit, pas protestave të dhunshme të së shtunës. Kryeministri Eduard Filip ka deklaruar të hënën se autoritetet do të veprojnë sapo të identifikohen ato që i ka cilësuar “grupe radikale”.
“Duke filluar nga e shtuna e ardhshme, protestat e “Jelekëve të verdhë” do të ndalohen në ato zona të Parisit që janë prekur nga aktet e dhunës dhe po ashtu në ato qytete ku do të vihet re prania e grupeve radikale”, ka deklaruar Filip.
Të shtunën e kaluar manifestuesit sulmuan vitrinat e dyqaneve të shëtitores së famshme Champs Elyssee, duke dëmtuar restorantet më të njohura dhe dyqanet kryesore të modës. Dhoma franceze e Tregtisë ka deklaruar se janë të paktën 91 bizneset që kanë marrë dëme serioze.
Rreth 10 mijë persona morën pjesë në protestë, një shifër kjo më e lartë krahasuar me manifestimet e ngjashme të bëra më parë. “Jelekët e Verdhë” nisën protestat e përjavshme në mbarë Francën 4 muaj më parë, fillimisht për të kundërshtuar rritjen e taksës për karburantet. Më pas lëvizja u përshkallëzua dhe mori formën e një proteste kundër elitës franceze, për të cilën aktivistët fajësuan presidentin Emanuel Macron./abcnews.al