Psikologia Arjana Muça, konsulentja e edukimit Lori Duro dhe sipërmarrësja Sonila Sopoti ishin të ftuara në “Abc e mëngjesit” ku ndanë disa këshilla për prindërit se si të rrisin fëmijë me vetëbesim dhe të suksesshëm. Ata theksuan se mënyra se si prindërit i rrisin dhe se si sillen ndaj tyre ndikon shumë në të ardhmen e fëmijës. Konsulentja e edukimit vuri theksin te natyra. Ajo thotë se aktivitetet që fëmija kryen në natyrë ndikojnë shumë në zhvillimin e fëmijës.
“Ne kemi krijuar një koncept tjetër për njeriun e suksesshëm. Një njeri i suksesshëm duhet të jetë një që është i aftë të ngrihet dhe të përballojë traumat, për çdo gjë në jetë. Ka të bëjë me shëndetin mendor sesa të zotë jemi ne për të përballuar sfidat që na jep jeta. Dhe për të garantuar këtë sukses duhet të aktivizojmë të gjitha shqisat. Një fëmijë i aftë është ai që ka zhvilluar të gjitha shqisat.
Nga pesë kryesoret ka dhe tre të tjera. Është veshi i mesëm siç e quajmë ne në gjuhën popullore pra aftësia e ekuilibrit; shqisa interoceptive pra aftësia që ka fëmija për të ndjerë urinë dhe etjen dhe shqisa intuitive, krijohet një lloj intuite se si duhet të përgjigjemi menjëherë. Kur krijohet mjedisi i duhur në familje dhe kopsht dhe fëmija zhvillon këto shqisa patjetër që do të bëhet i suksesshëm.”, tha Duro.
Ndërkohë, psikologia shtoi se një gabim që shpesh bëjnë prindërit është krahasimi i fëmijëve të tyre me të tjerët. Sipas saj, ky është gabimi kryesor që ndikon te fëmija dhe bën që ai të rritet me vetëbesim të ulët.
“Në moshën deri në 6 vjeç formohet personaliteti i fëmijës dhe prindi ka mundësinë për të dhënë maksimumin për fëmijën. Të gjithë prindërit duhet të ndërgjegjësohen. Nuk mund t’i thuash dot se do të bëhesh mjek apo arkitekt sepse janë profesione që kanë të ardhura. Pra, nëse në moshën 0-6 vjeç fëmija do të zhgarravisë muret, nuk kemi pse t’i themi se muri nuk është për t’u zhgarravitur sepse ndërpret kreativitetin.
Duhet ta nxisim dhe t’i japim mundësinë. Sot prindërit kanë mundësinë që t’i çojnë fëmijët në disa kurse. Aty shikon se fëmija mërzitet shpejt te ajo që nuk e pëlqen. Prindi duhet ta kuptojë se fshihet diçka pas kësaj mos dëshire. Në momentin që fëmija ndihet rehat, prindi duhet të investojë. Nuk duhet t’i krahasojnë fëmijët me të tjerët. Kur i themi se nuk je i zoti që ta bësh këtë, kjo e bën fëmijën të ndihet i paaftë dhe të ketë frikra.“, tha psikologia. /abcnews.al