Presidenti i Republikës Ilir Meta këtë të premte ka dekretuar me shpallje dy ligje që bëjnë fjalë për dekretimin e Shqipërisë në dy konventa ndërkombëtare.
Kreu i shtetit bën me dije se ligjet e dekretuara janë ai për Konventën Ndërkombëtare për Kontrollin e Dëmit nga Sistemet për Mbrojtjen Antivegjetative në Anije dhe Konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare.
Meta jep edhe sugjerimet e tij, sipas të cilit aderimi i Shqipërisë në këtë Konventë do të duhet të shoqërohet me masat përkatëse që synojnë reduktimin deri në eliminim të efekteve negative në mjedisin detar dhe shëndetin e njeriut, të shkaktuara nga sistemet e mbrojtjes antivegjetative për anijet (anti-fouling).
Dekreti i presidentit;
– Ligj nr.19/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për Kontrollin e Dëmit nga Sistemet për Mbrojtjen Antivegjetative në Anije (anti-fouling), 2001”.
Aderimi i Shqipërisë në këtë Konventë do të duhet të shoqërohet me masat përkatëse që synojnë reduktimin deri në eliminim të efekteve negative në mjedisin detar dhe shëndetin e njeriut, të shkaktuara nga sistemet e mbrojtjes antivegjetative për anijet (anti-fouling).
Gjithashtu, me bërjen pjesë të kësaj Konvente, organet publike përgjegjëse duhet jo vetëm të ndërgjegjësojnë anijet që gëzojnë të drejtën të ngrenë flamurin shqiptar, apo të operojnë nën autoritetin e vendit, për detyrimet që përmban Konventa mbi kufizimet e ndalimet e përdorimit të sistemeve të dëmshme anti-ndotje, por edhe të forcojnë kontrollet në drejtim të respektimit të rregullave, që Konventa përcakton.
– Ligj nr. 20/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare”.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë (IHO), si autoritet teknik për hidrografinë dhe hartografinë detare në nivel ndërkombëtar, do të sigurojë masa shtesë për mbështetjen e sigurisë lundrimore dhe mbrojtjen e mjedisit detar./abcnews.al