Stadiumi i Kukësit ka përfunduar të gjitha punimet dhe tashmë është gati për të pritur edhe ndeshjet e Abissnet Superiores, por që kjo të ndodhë duhet thënë edhe fjala e fundit nga ekspertët.
Sipas “Supersport” dita e nesërme është një ditë vendimtare për skuadrën verilindore, pasi pritet që ekspertët grekë të shikojnë më nga afër edhe gjendjen e fushës, ndërsa në këtë inspektim pritet të jetë i pranishëm edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka.
Verilindorët presin me ankth edhe vendimin e ekspertëve, nëse stadiumi “Kukës Arena” do të hapë dyer gjatë këtij muaji apo kuksianët duhet të presin akoma për të parë skuadrën të luajë në qytetin e tyre.
Pas gati 3 vitesh, ku skuadra e Kukësit “shtegton” nëpër stadiume të tjera, pritet që se shpejti t’i japin fund këtij “shtegtimi” që ka ndikuar edhe në rezultate.
“Shihemi së shpejti”, një tjetër sinjal që stadiumi është gati ishte edhe postimi i klubit në rrjetet sociale pas fitores me Dinamon, ku i “premtohej” tifozëve se së shpejti do të rikthehet skuadra në stadiumin e saj. /f.a/abcnews.al