Opozita 3 orë protestë para Kryeministrisë e Parlamentit

schedule17:10 - 16 Mars, 2019

schedule 17:10 - 16 Mars, 2019

“Tre orë zgjati protesta e opozitës, e kthyer në marshim protestë rreth dy godinave që sipas opozitës janë pushtuar nga krimi, Kryeministria dhe Parlamenti”.

Një strategji të re kishte përgatitur opozita për protestën e pestë të thirrur në harkun kohor të një muaji.

Kur ora shënoi 11, protestuesit, të cilëve iu bashkua edhe kryedemokrati Basha, i dalë nga selia e forcës politike që drejton,, u grumbulluan të shumtë në numër, përpara godinës kryeministrore.

Mesazhet ishin të shumta dhe të shumëllojshme. Ishte ky momenti kur demokratët zbuluan planin e tyre.

Flamur Noka: “Të tregojmë se dimë të protestojmë, t’ju tregojmë se përfaqësojmë vlerat e qytetarëve. Vëllezër dhe motra kjo protestë do të jetë marshim. Na ndiqni!”

Të drejtuar nga lideri i demokratëve Basha, protestuesit në marshim, rrethuan godinën e Kryeministrisë. Skenar i cili u përsërit dy herë…

Për qytetarët në protestë, të identifikuar nga organizatorët si ata të cilët do të vendosin kohëzgjatjen dhe formën e protestës, masiviteti është mesazhi drejtuar qeverisë, marshimi forma e saj por edhe gatishmëria për një qëndresë të gjatë.

Kjo derisa thirrja e demokratëve ti çonte protestuesit përpara godinës parlamentare. Vetëm aty situata u përshkallëzua. Edhe pse më të përgatitur se herët e tjera, gazi lotsjellës shpërndau disa herë turmën…

Të drejtuar nga kreu i demokratëve Basha, një pjesë e protestuesve iu drejtuan Kryeministrisë…

Ndërsa zëri i Policisë së Shtetit, njoftoi qëllimin për përshkallëzim të përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve të ndodhur përpara godinës së seancave plenare. Kryedemokrati Basha ndërroi itinerarin e tij për t’iu drejtuar selisë blu.

Aty, mes falënderimeve për protestuesit, një mesazh direkt edhe në gjuhë të huaj ia drejtoi ndërkombëtarëve. Edhe pse një datë nuk ja dha kujt prêt aksionin e radhës, vijimësinë e saj e sheh si parësore në rrugën që nisën një muaj më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!