Veliaj: Krijojmë zonë të lirë ekonomike në Kashar

schedule15:25 - 15 Mars, 2019

schedule 15:25 - 15 Mars, 2019

Tirana shumë shpejt do të ketë një zonë të lirë ekonomike dhe një treg të dyte shumice për produktet bujqësore. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, tregoi se e para do të jetë në Kashar dhe e dyta në Lundër.

Një hapësirë prej 50 metër hektarë tokë në Kashar Bashkia e Tiranës po synon ta kthejë në zonë të lirë ekonomike. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kërkesa për qeverinë po përgatitet.

“Do të thotë se mund të jetë një vend ku shumë prej jush që punoni me produkte bujqësore, do të jetë një vend ideal prodhimi. Duam që të ketë statusin e zonës së lirë ekonomike, siç është përcaktuar nga ligjet shqiptare. Disa histori të ngjashme mund t’i keni parë në Maqedoni apo Rumani, ndaj duam që Tirana të jetë i pari ent publik që menaxhon vetë një zonë të lirë ekonomike”.

Ndërkohë në Lundër do të çelet tregu i dytë i shumicës për produktet bujqësore. Synimi sipas Veliajt është shtimi i konkurrencës dhe ulja e çmimeve të shërbimeve dhe produkteve bujqësore.

“Me ministrin Çuçi jemi gati për të identifikuar një tjetër hapësirë për një treg të madh agro-ushqimor publik, duke qenë se edhe komisionari i konkurrencës, por edhe qytetarët shprehin një pakënaqësi, por edhe ata që janë prodhues shprehin një pakënaqësi me faktin që Tirana ka vetëm një monopol të një tregu agro-ushqimor privat. Hapja e një tregu të dytë, së pari do ta bënte të gjithë këtë treg me dy konkurrues dhe sigurisht konkurrenca do të sillte çmime më të ulëta për ata që aksesojnë tregun”.

Tregu do të shërbejë si një hapësirë, ku tregtarët me shumicë do të bëjnë porosi në avancë për produkte të caktuara tek fermerët edhe duke i financuar ata.  Kryebashkiaku Veliaj i bëri deklaratat nga panairi dhe forumi ndërkombëtar i agrobiznesit dhe agroteknikës./abcnews.al