SHBA, edhe Senati kundër Trump

schedule22:25 - 14 Mars, 2019

schedule 22:25 - 14 Mars, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka pësuar brenda dy ditësh humbjen e dytë në Senat, ku senatorë republikanë rebelë kanë mbështetur rezolutat e demokratëve, këtë herë për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme në kufi me Meksikën.

Senati amerikan miratoi të enjten një propozim për t’i dhënë fund gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin jugor me Meksikën, të shpallur nga presidenti Donald Trump. Sipas mediave amerikane, ishin 12 senatorë republikanë rebelë që dolën pro shfuqizimit të masës së shpallur nga kreu i shtetit, që nga ana e tij ka paralajmëruar me vendosjen e vetos ndaj rezolutës. Votimi, që kaloi me 59 vota kundrejt 41, përbën humbjen e dytë të Trump në Senat në vetëm dy ditë. Të mërkurën, senatorët aprovuan një rezolutë që kërkon që Shtetet e Bashkuara t’i japin fund mbështetjes së koalicionit të udhëhequr nga sauditët në luftën në Jemen.

Një refuzim i hapur ky i politikave të Trump ndaj mbretërisë. Përpara votimit të së enjtes, lideri i mazhorancës në Senat, Miç Mek Konell u bëri thirrje republikanëve që ta hidhnin poshtë propozimin e demokratëve, por nuk ndodhi kështu. Tani, senatorët që dezertuan druhen se në të ardhmen presidentët, qofshin edhe demokratë, do të përpiqen të uzurpojnë Kongresin për të miratuar programet e tyre. Përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Trump kërkoi një rrugë alternative për të siguruar fondet miliardere për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, pas refuzimit të Kongresit për lëvrimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!