Ligjvënësit britanikë kanë votuar kundër mundësisë për një referendum të dytë për Breksit, dy ditë pasi hodhën poshtë marrëveshjen e negociuar nga kryeministrja Mej. Duke reaguar, negociatori i BE për procesin e largimit të Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se situata është e rëndë dhe palët duhet të përgatiten për pasoja serioze.
Dhoma e Përfaqësuesve në Mbretërinë e Bashkuar ka votuar kundër mbajtjes së një referendumi të dytë mbi Breksit. Në votimin e zhvilluar pasditen e së enjtes, ligjvënësit kanë hedhur poshtë një amendament paralel për të lidhur kërkesën e shtyrjes së daljes nga BE-ja me mbajtjen e një votimi të dytë pas atij të vitit 2016. Amendamenti ka marrë 85 vota pro dhe 334 kundër, i dënuar edhe nga abstenimi i laburistëve. Ndërkohë, nga BE ka ardhur një paralajmërim i ri.
Kryenegociatori për Breksit, Mishel Barnier ka deklaruar se në këto rrethana, të dyja palët duhet të përgatiten për një largim të Mbretërisë së Bashkuar pa marrëveshje, pasi 29 Marsi po afron. Sipas Barnier, situata është e rëndë dhe si Britania ashtu edhe Unioni bëjnë mirë të mos i nënvlerësojnë pasojat e një skenari pa marrëveshje. Lidhur me situatën ka reaguar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kritikuar ashpër kryeministren Theresa Mej për mënyrën se si ka menaxhuar negociatat e Breksit. “Ajo nuk i dëgjoi këshillat e mia”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se mbajtja e një referendumi të dytë do të ishte e padrejtë dhe njëkohësisht e pamundur. “Negociatat duhet të vazhdojnë, edhe pse duhet të ishin zhvilluar në një mënyrë tjetër”, ka shtuar Trump./abcnews.al