Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër rritjes së çmimeve. Sipas njoftimit, gjatë protestës grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e makinave, duke shtuar se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale. Nga kjo situatë, policia thotë se janë detyruar të reagojnë dhe të shpërndajnë qytetarët.
“Në vijim të protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë përfundimit të protestës disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe po kundërshtojnë thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.
Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit bën thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit është e vendosur të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, si një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin dhe cënojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve“, thotë policia.
/abcnews.al