Antonio Tajani: Jam një antifashist

schedule11:13 - 14 Mars, 2019

schedule 11:13 - 14 Mars, 2019

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani ka reaguar ashpër, ndaj kritikave për shkak të deklaratës së tij se Benito Musolini kishte bërë dhe gjëra të mira para se të ndiqte Hitlerin. Tajani u shpreh se është një antifashist, dhe se ata që transformojnë deklaratat e tij duhet të kenë turp.

“Ata që transformojnë fjalët e mia për fashizmin duhet të kenë turp. Kam qenë gjithnjë një antifashist, dhe nuk i lejoj askujt të thotë të kundërtën. Diktatura, ligjet e saj, viktimat që ka shkaktuar, janë faqja më e errët e historisë italiane dhe europiane.”

Antonio Tajani, presidenti i Parlamentit Europian ka reaguar në këtë mënyrë ndaj polemikave rreth intervistës së tij ku ishte shprehur se Benito Musolini kushte bërë dhe gjëra të mira para se të hynte në luftë dhe të ndiqte Hitlerin.

Presidenti i Parlamentit Europian dhe zëvendëspresidenti i “Forza Italia” theksoi se kjo ishte hera e dytë që eurodeputeti gjerman Udo Bullmann pretendonte se ai është fashist. Tajani tha se kjo ishte e tepërt, dhe nëse ai nuk do i kërkonte falje atëherë do të thotë se i ka transformuar qëllimisht fjalët e tij.

Në fakt eurodeputeti i Partisë Socialdemokrate gjermane, Udo Bullmann në profilin e tij në Twitter shkruante se deklaratat e Tajanit ishin të pabesueshme, dhe se presidenti i Parlamentit Europian duhet ta njohë mirë natyrën e fashizmit. Më tej, eurodeputeti gjerman vë në dukje se dy orë pas deklaratave për Musolinin, Tajani ishte takuar me përfaqësues të ekstremit të djathtë në Itali.

Në intervistën e shumëpërfolur Tajani shprehej: Nuk jam fashist, nuk kam qenë asnjëherë dhe nuk e mbështes këtë ideologji. Por nëse do donim të ishim të ndershëm, Musolini ka bërë rrugë, ura, ndërtesa, impiante sportive etj. Kur dikush jep një gjykim historik duhet të jetë objektiv, dhe për këtë them se deklarata për luftë ishte një vetëvrasje.

Pyetjes nëse diçka duhej shpëtuar nga fashizmi, Tajani iu përgjigj: Sigurisht, nuk ishte një kampion demokracie, por disa gjëra janë bërë dhe duhet thënë gjithmonë e vërteta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!